Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin e Grenadës, Dickon Mitchel në Nju Jork, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Në këtë takim, presidentja Osmani ka përgëzuar kryeministrin Mitchell për reformat në shtetin e tij dhe ka theksuar se të dy shtetet kanë mundësi t’i shkëmbejnë përvojat në këtë fushë.
“Presidentja Osmani theksoi, gjithashtu se ky takim afirmon marrëdhëniet e mira diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Grenadës dhe në këtë kontest ka shtruar nevojën e mbështetjes për Kosovën në përpjekje për ta fuqizuar pozitën ndërkombëtare”, ka njoftuar Presidenca.
Osmani dhe Mitchel kanë theksuar rëndësinë e mbajtjes së linjave të hapura të komunikimit dhe të bashkëpunimit për t’i adresuar sfidat e përbashkëta në skenën globale.
Në takim, ndër të tjera është diskutuar edhe për bashkëpunimin bilateral në fushat e interesit të dyanshëm.