Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković, në kuadër të vizitës dyditore zyrtare në Kroaci.
Në këtë takim, Osmani ka thënë se më 24 shtator në Banjskë, Serbia ka kryer sulm terrorist dhe akt agresioni ndaj Kosovës, me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës dhe destabilizimit të tërë rajonit, duke potencuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Kosovës.
“Presidentja Osmani ka theksuar se në mënyrë që paqja të jetë e mundur në rajon, Serbia duhet t’i tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, ngase përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin. Për më tepër, ajo ka diskutuar me kryeministrin kroat edhe për provat e mbledhura nga policia e Kosovës që e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me këtë sulm, si dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë me aleatët tanë në mënyrë që të parandalohet agjenda destabilizuese e Serbisë”, ka njoftuar Presidenca.
Osmani ka falënderuar kryeministrin Plenković për kontributin e ushtarëve kroatë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe bashkëpunimin bilateral ne fushën e mbrojtjes mes Kosovës dhe Kroacisë teksa kanë diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në këtë fushë.
Më tutje, presidentja ka theksuar se Kosova ka prioritet shtetëror anëtarësimin në NATO, ndërkaq ka potencuar edhe rëndësinë e avancimit me anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës e në Bashkimin Evropian, si dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë.