Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar, ku po e përfaqëson Kosovën në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), është takuar me kryeministrin e Belgjikës, Alexander de Croo.
Në një postim në Facebook, presidentja Osmani e ka falënderuar kryeministrin Alexander de Croo për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Kosovën.
Ajo ka bërë të ditur se me kryeministrin belg ka diskutuar për rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës si dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Diskutuam rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe angazhimin tonë të përbashkët për ta thelluar bashkëpunimin midis dy shteteve tona”, ka shkruar presidentja Osmani.
Po ashtu, një ditë më parë, Osmani në Mbretërinë e Bashkuar është takuar edhe me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Presidentja Osmani ka thënë se gjatë takimit me kryeministrin grek Mitsotakis ka rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për ta avancuar bashkëpunimin me Greqinë.
“Thellimi i bashkëpunimit midis Kosovës dhe Greqisë është i dobishëm jo vetëm për qytetarët e të dyja shteteve tona, por edhe për të gjithë rajonin”, ka theksuar presidentja Osmani.
Ajo gjithashtu është takuar me Mbretin Charles III dhe kryeministrin britanik Keir Starmer.
“Në 25 vjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s dhe trupave britanike në Kosovë, rikonfirmuam se lidhja midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar është e fortë dhe e palëkundur”, ka shkruar presidentja.
Osmani ka takuar edhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.
Presidentja Osmani ka thënë se me kancelarin Scholz kanë pasur diskutim të rëndësishëm në kuadër të Samitit të Liderëve të EPC-së, lidhur me angazhimin tonë të përbashkët për integrimin euroatlantik të Kosovës.