Presidentja Vjosa Osmani mori pjesë në samitin e katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku zhvilloi takime me liderët e Lituanisë dhe Estonisë.
Ky samit, i cili po mbahet në Londër, ka mbledhur 47 vende evropiane, duke u shndërruar në një nga ngjarjet më të mëdha të liderëve evropianë në vitet e fundit.
Gjatë takimit me presidentin e Lituanisë, Gitanas Nausėda, Osmani theksoi rëndësinë e unitetit midis demokracive në përballjen me regjimet autokratike.
“Si demokraci në vijën e parë, shtetet tona ndajnë përkushtim të thellë për të qëndruar të bashkuar kundër regjimeve autokratike. Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse për përkrahjen e Lituanisë”, ka shkruar Osmani.
Në një tjetër takim të rëndësishëm, Osmani bisedoi me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas. Ajo vlerësoi lidershipin e Kallasit në promovimin e paqes dhe sigurisë në Evropë.
“Paqja dhe siguria në Evropë kërkojnë lidership të fortë dhe të guximshëm, të cilin kryeministrja Kallas e ka demonstruar në vazhdimësi”, shkroi Osmani në Facebook.