Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së, për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës evropiane.
Gjatë vizitës në Bruksel, ajo është takuar me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.
Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në takimin e Brukselit, ndër të tjera, do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Në një diskutim të hapur dhe përmbajtjesor me presidenten e Parlamentit, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare të BE-së ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane, e kanë vendin në BE”, ka theksuar Osmani pas takimit.
Ndryshe, në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri te mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit.
“Unë çdo herë shkoj me shpresë, por pa shumë pritje. Le të shpresojmë se nuk do të ketë një zhgënjim të radhës”.
Kështu ka deklaruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për mediumin holandez, NRC, para vizitës së saj në Samitin e Bashkimit Evropian.
“Njerëzit nga Ukraina, Gjeorgjia dhe shtete të ndryshme të Amerikës Latine lejohet që të udhëtojnë lirshëm. Por unë – e vetmja – kam nevojë për vizë për ta përcjellë Samitin në Bruksel”, është shprehur Osmani.
Mosliberalizimin e vizave, Osmani e ka quajtur diskriminim të popullit të Kosovës.
“Është padrejtësi e madhe: diskriminim për një popull. Ne jetojmë në geto”.
Më tej, ajo ka folur edhe për procesin e anëtarësimit në BE, ku sipas saj, shteti i Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave.
“Ne jemi gati dhe e meritojmë” ka thënë ajo, duke shtuar se “Ne kemi kryer detyrat”, duke iu referuar raporteve ndërkombëtare në të cilat shënohet përparimi mbi demokracinë, lirinë e medias dhe të të drejtave të njeriut.
Osmani shpreson se realiteti i vitit 2022, në të cilin agresori ruse sulmoi Ukrainën, do ta bëjë të gjithë BE-në të kuptojë se nuk duhet të përkulet para pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës dhe ngritjes së saj në Bosnje dhe Hercegovinë.