Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me zëvendëskëshilltarin për Siguri Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jon Finer, në New York, ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.
Osmani në këtë takim ka diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë, ku ka theksuar se heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i ShBA-ve, është përcaktues në dialog.
“Heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës do ta mundësojë rifillimin konstruktiv të dialogut, teksa roli i SHBA-ve është përcaktues në dialog”, ka thënë Osmani.
E para e vendit ka thënë se Kosova ka ndërmarrë hapa për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës dhe është e përkushtuar të punojë me aleatët, në veçanti me ShBA, për t’i adresuar sfidat e sigurisë.
Sipas presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023.
Në kohën kur siguria në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë kontinentin evropian po sfidohet, Osmani ka potencuar se roli i ShBA-ve është vendimtar për të ruajtur paqen dhe sigurinë.
Sipas Osmanit, pavarësisht zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë në rajon, Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, dialog dhe partneritet.
“Jemi të përkushtuar për thellimin e marrëdhënieve me ShBA-në në nivel strategjik. Kemi nevojë për më shumë bashkëpunim politik, sikurse edhe në sferën e sigurisë për t`i mbrojtur arritjet e përbashkëta”, ka theksuar Osmani.
Tutje, ajo ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në BE është në funksion të paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë.