Osmani: Tensionet në rajon rrisin mundësinë për ndikimin e faktorëve destruktivë

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se shfaqja e tensioneve midis Shkupit dhe Sofjes, në kohën kur ka zhvillime intensive midis Prishtinës dhe Beogradit, rrit mundësinë për ndikimin e faktorëve destruktivë

Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani

Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka shprehur keqardhje për vendimin e Sofjes që të tërheqë ambasadorin e saj nga Shkupi, duke nënvizuar se kjo ishte një tërheqje e përkohshme, pasi, sipas tij, dialogu është mënyra e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Osmani po ashtu tha se shfaqja e tensioneve midis Shkupit dhe Sofjes, në kohën kur ka zhvillime intensive midis Prishtinës dhe Beogradit, rrit mundësinë për ndikimin e faktorëve destruktivë, pasi sipas tij, tani ata kanë më shumë hapësirë për të vepruar.

Sipas kryediplomatit maqedonas, Rusia është e interesuar dhe vepron në forma të ndryshme që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të ketë krizë të përhershme dhe çështje të hapura, pasi në këtë mënyrë, sipas Osmanit, Moska mund të ndikojë në politikat e brendshme të rajonit.

Teksa pyetet se cila është prapavija e tërheqjes së ambasadorit bullgar nga Shkupi dhe cili mbetet qëndrimi i dikasterit që përfaqësoni, Osmani ka shprehur keqardhje për këtë tërheqje të përkohshme, pra thirrjen për konsultime.

“Sigurisht se kjo është edhe përkeqësim i raporteve ndërshtetërore dhe arsyet sigurisht se mund t’i merrni atje. Ne këtu jemi të interesuar që të vazhdojmë dialogun me Republikën e Bullgarisë. Ambasadorët sigurisht se janë instrument kryesor për dialog ndërmjet dy shteteve, ashtu që besoj se ky vendim do të mund të rikthehet dhe të mund të vazhdohet ky dialog. Nëse ky vendim është lidhur me incidentin në fjalë [sulmin fizik të 19 janarit ndaj Hristijan Pendikov, përfaqësuesit të qendrës bullgare ‘Car Boris Treti’ nga Ohri] atëherë kujtoj se i njëjti është disproporcional, pasi Maqedonia e Veriut i ka ndërmarrë të gjitha masat për sa i përket këtij incidenti”, ka thënë ai, në një intervistë për REL.

“Shikoni, edhe konteksti është i tillë. Kemi zgjedhje në Bullgari, kemi një situatë politike të tensionuar këtu, dhe ajo që theksova, zona e gjakut të provokatorëve, dhunuesve dhe përfituesve politikë tani është aktive dhe secili tenton që nga kjo situatë të përfitojë diçka. Unë mendoj që mënyra më e lehtë është të ndiqet opinioni i përgjithshëm dhe të merren vendime emocionale”, shtoi Osmani.

Ai ka theksuar se roli i tij është që të ruajë raportet me Bashkimin Evropian, shtetet e BE-së, të ruajë imazhin e shtetit dhe të ruajë perspektivën evropiane të vendit, duke mbrojtur interesat e të gjithë popujve dhe njerëzve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut.

“Unë kujtoj se kjo është e vetmja mënyrë dhe absolutisht nuk do të zmbrapsemi nga kjo strategji, pavarësisht presioneve, fushatave të linçimeve publike që bëhen, pasi kjo pak flet edhe në vete për një atmosferë në të cilën jetojnë dhe veprojnë jo vetëm shoqëria në përgjithësi, por edhe njerëzit dhe individët”.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, ka thënë se pas strukturave antimaqedonase në Bullgari qëndron shërbimi i inteligjencës ruse.

Lidhur me këtë, se çfarë po bëjnë institucionet për të evituar pasojat dhe cilat mund të jenë ato, Osmani ka thënë se “gjithmonë ka pasur një interes rus për të mbajtur rajonin në krizë permanente dhe me çështje të hapura, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të ndikohet në politikat e brendshme të rajonit dhe të ushtrohet një lloj ndikimi, nëse nuk mund të ndikohet ndryshe”.

“Federata Ruse ka mënyra se si ndikon në rajon. Për shembull, me perspektivën ekonomike ose me çfarëdo vlere të shtuar, përveç se duke mbajtur kriza permanente dhe kështu duke e ruajtur ndikimin. Kjo ka qenë prezent edhe në raportet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe sigurisht se tani ky përshkallëzim i momentit do të vlerësohet si shans për ndikim më të madh rus. Më konkretisht, këtë besoj se presidenti mund t’ua elaborojë”, shtoi ai.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika