Të premten, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e Komunitetit Politik Evropian në Pragë ka takuar kryeministrin e Sllovakisë, Eduard Heger.
E para e vendit e ka informuar kryeministrin Heger mbi zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, përfshirë përkushtimin e popullit dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e rrugës euroatlantike të vendit.
Siç njofton presidenca, ajo ka përmendur rëndësinë e përmbylljes urgjente të procesit të liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian për qytetarët e Kosovës.
Presidentja Osmani dhe kryeministri Heger kanë theksuar nevojën për t’i tejkaluar bashkërisht sfidat me të cilat po ballafaqohen të dy vendet, duke përmendur përkushtimin për të forcuar bashkëpunimin më tutje.
Ndërsa të enjten e 6 tetorit, Osmani është takuar me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe me presidentin e Francës, Emannuel Macron.
Ajo ka thënë se është mirënjohëse për mbështetjen që këto dy shtete po e japin për Kosovën.
“Mirënjohës presidentit Macron dhe kancelarit Scholz për takimin e sotëm përmbajtësor, për përkrahjen e tyre për Kosovën dhe angazhimin e tyre për paqe dhe stabilitet në rajonin tonë”, ka shkruar ajo.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Pragë, u është bashkuar 44 liderëve në kontinentit evropian për të diskutuar nxitjen e dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.
Gjatë samitit, Presidentja Osmani ka ritheksuar orientinim strategjik të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik si garanca më e mirë për paqen dhe sigurinë në rajonin tonë. Para liderëve evropianë, Presidentja Osmani ka kërkuar përkrahjen për këtë proces.
Në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë, Presidentja Osmani ka përmendur solidaritetin e popullit dhe institucioneve të Kosovës me popullin e Ukrainës, duke theksuar se populli ynë i kupton më së miri vuajtjet e tyre nga agresioni rus.