Presidentja, e Kosovës, Vjosa Osmani, i është bashkuar deklaratës së Sekretarit Shtetëror të SHBA-së, Marco Rubio, për përkrahjen e Bosnjë-Hercegovinës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.
“Ne gjithashtu dënojmë me forcë çdo veprim që minon themelet e Bosnje-Hercegovinës, pasi kërcënon paqen dhe stabilitetin që rajoni ynë ka punuar pa u lodhur për të arritur – përmes dekadash sakrificash dhe me mbështetjen e palëkundur amerikane”, ka shkruar Osmani në X.
Osmani ka potencuar që SHBA ka rol kyç për stabilitet të rajonit.
“Angazhimi i SHBA-së mbetet parësor për të siguruar që rajoni ynë të ecë drejt stabilitetit dhe paqes së qëndrueshme, si dhe drejt një të ardhmeje euroatlantike. Ne jemi të përkushtuar të punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të arritur këtë qëllim”, ka thënë ajo.
Ndërkaq sekretari Rubio nëpërmjet një reagimi ka kërkuar dialog konstruktiv.
“Veprimet e Presidentit të Republika Srpska, Milorad Dodik, po minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj. Kombi ynë inkurajon liderët politikë në Bosnjë dhe Hercegovinë që të angazhohen në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon që të bashkohen me ne për të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”, ka shkruar sekretari Rubio në X.