Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sulmi terrorist më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit ishte akt i agresionit të Serbisë ndaj Kosovës, që kishte synim aneksimin e veriut.
Në ditën e dytë të vizitës së saj në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Osmani tha se Kosova është rezultati dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane.
Në një ligjëratë para studentëve të Universitetit Drake, e para e vendit akuzoi Serbinë se po dëshiron të nxisë luftë në rajon.
“Ne asnjëherë nuk i kemi karakterizuar këto si tensione mes Kosovës dhe Serbisë, sepse nuk po sulmojmë askënd, ne jemi në shtëpinë tonë dhe po sulmohemi. Ajo që ndodhi më 24 shtator ishte kulmi i një akti të rëndë agresioni që Serbia po i bënte popullit të Kosovës brenda territorit tonë dhe atë ditë ishin një numër i grupeve terroriste që hynë në Kosovë me numër të madh armësh, armë të shkallës ushtarake me të cilat planifikonin të aneksonin veriun e Kosovës. Policia jonë ka vepruar me shumë profesionalizëm dhe ka penguar aktin e agresionit që në minutat e para të tij. Por, nëse ne nuk do të ishim aq efektivë në fillim, padyshim që ata do të kishin qenë efektiv në afrimin gjithnjë e më shumë brenda veriut të Kosovës dhe aneksimin e pjesëve të territorit tonë. Sigurisht që atëherë do të detyroheshim të përgjigjeshim dhe kjo do të destabilizonte jo vetëm Kosovën, por pjesën tjetër të rajonit… Ai ishte një plan që destabilizoi të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe na ktheu në vitet ’90, të mbushura me dhunë. Fatkeqësisht, këtë dëshiron Serbia. Ajo është ende e udhëhequr nga mendësia e viteve ’90. Ata duan të rrëmbejnë territorin nga fqinjët e tyre, duan të shkaktojnë më shumë vuajtje dhe luftë. Ne duam të mbrojmë paqen dhe stabilitetin në vendin tonë dhe më gjerë, sepse e dimë se sa vuajti populli ynë dhe sa vuajtën të gjithë të tjerët në rajon për shkak të mendësisë që ekzistonte në Serbi në vitet ’90”, theksoi Osmani.
Përkitazi me këtë, Osmani, tha se angazhimi më i madh i trupave të NATO-s në Kosovë do të bëjë që mos të lejohen të hyjnë njerëz të armatosur në territorin e vendit.
“Ajo që po bëjmë tani është se po rrisim nivelin e sigurisë dhe kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse të kesh një kufi të sigurt është një aspekt themelor i mos lejimit të njerëzve të armatosur, automjeteve të armatosura dhe armëve që të hyjnë në Kosovë në mënyrë që ata mund të shkaktojë dhunë, dhe së dyti ne kemi më shumë trupa të NATO-s tani në Kosovë që po na ndihmojnë të merremi me këtë. Pra, dua të them se kur Serbia sulmon, ajo jo vetëm që po rrezikon jetën e popullit të Kosovës, por po rrezikon edhe jetën e ushtarëve amerikanë që shërbejnë në Kosovë, në shumicën e rasteve kjo do të thotë anëtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s, pra, ata po rrezikojnë edhe popullin e Shteteve të Bashkuara”, shtoi ajo.
Në anën tjetër, Osmani tha se Kosova është rezultat dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane.
“Kosova është rezultat dhe historia më e madhe e suksesit të politikës së jashtme amerikane, ne jemi të lirë, të pavarur dhe në demokraci për shkak të investimeve të SHBA-së në vendin tonë. Putini në çdo konferencë për shtyp thotë se ‘do t’ju dëshmojë se Kosova është një dështim amerikan’. Pra, për të, është një luftë kundër Amerikës. Ai po na sulmon sepse dëshiron të të sulmojë ty (Amerikën). Pra, Kosova është një histori suksesi, është kaq e rëndësishme për t’u mbrojtur dhe ruajtur sepse në fund të fundit duke destabilizuar pjesën tonë të botës, Rusia dëshiron të hapë një front të ri kundër Perëndimit, një front të ri kundër Amerikës, dhe ne nuk duhet të lejojmë ndodh. Pra, ne duhet të jemi në këtë së bashku. Dhe në këtë rast, parandalimi është thelbësor”, theksoi Osmani.
Gjatë qëndrimit në Iowa të SHBA-së, Osmani u prit ne takim edhe nga kryetari i qytetit Norwalk, Tom Philips, nga i cili u nderua me Çelësin e Qytetit dhe Yllin e Norwalkit.
Ajo pati edhe një bashkëbisedim me kryetaret e qyteteve të binjakëzuar me disa nga qytetet e Kosovës, ku u zotuan që marrëdhëniet ndërmjet qyteteve, shkollave dhe bizneseve të Iowa-s e të Kosovës, do të vazhdojnë të thellohen, duke forcuar më tej dhe duke i bërë kështu lidhjet midis popujve tanë edhe më të fuqishme.
Osmani takoi edhe diasporën shqiptare në Iowa ku iu falënderua atyre për mbështetjen ndaj atdheut.
Presidentja Osmani po qëndron për një vizitë zyrtare disaditore në Iowa të ShBA-së./KP