Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me ndihmës-administratoren e Byrosë për Evropë dhe Euroazi të USAID-it, Erin McKee. Osmani ka thënë se misioni i USAID-it ka qenë i rëndësishëm gjatë këtij çerekshekulli “në fuqizimin e të rinjve, grave, investimin dhe ndërtimin e institucioneve që mbështesin drejtësinë, barazinë dhe mundësitë për të gjithë”.
“Trashëgimia transformuese e USAID-it është e dukshme në çdo cep të Kosovës, nga forcimi i institucioneve deri te rritja e qëndrueshme ekonomike dhe avancimi i parimeve demokratike”, ka deklaruar Osmani, ka njoftuar Presidenca.
Osmani ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e USAID-it, përfshirë investime prej mbi 1 miliard dollarësh në fusha të ndryshme në Kosovë. Është shënuar 25-vjetori i bashkëpunimit mes USAID-it dhe Kosovës.
“Presidentja Osmani theksoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së projekteve në fushën e drejtësisë dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe projektet për fuqizimin ekonomik të grave, duke rikonfirmuar përkushtimin e Presidencës për t`i mbështetur këto projekte në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.