Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim të hënën me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, gjatë të cilit ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta dhe bashkëpunimit strategjik ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, bisedimet u fokusuan në zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale me Turqinë.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë, duke e cilësuar këtë vend si një partner strategjik dhe mbështetës të fuqishëm të Kosovës.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin diskutuan për zhvillimet e fundit politike në vend si dhe thellimin e mëtejmë të raporteve bilaterale me Turqinë.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë dhe marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy shteteve, duke potencuar se Turqia mbetet partnere strategjike dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës.
Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes turke ndaj Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, njohje të mëtejmë dhe vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e interesave të përbashkëta të të dyja shteteve, duke përforcuar lidhjet miqësore dhe bashkëpunimin afatgjatë”, thuhet në njoftim.