Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se hapja e kapitujve të anëtarësimit e sjell Shqipërinë më afër Bashkimin Evropian.
Duke e uruar për këtë gjë, Osmani ka thënë se integrimi i rajonit në BE është thelbësor për paqen dhe stabilitetin në Evropë.
“Urime Shqipërisë për arritjen e një momenti të rëndësishëm në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në BE! Hapja e kapitujve të anëtarësimit në BE e sjell Shqipërinë një hap më pranë një të ardhmeje më të ndritshme dhe më të begatë për të gjithë qytetarët e saj. Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera demokratike në rajonin tonë duhet të vazhdojnë të përparojnë në rrugët e tyre drejt BE-së, e cila është thelbësore për sigurimin e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm – jo vetëm për rajonin, por për të gjithë Evropën”, ka shkruar Osmani.
Shqipëria ka hapur kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian më 15 tetor.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e përbashkët me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Peter Szijjarto, në Luksemburg, e vlerësoi si historik këtë moment.
“Çelja e kapitujve përbën arritje të madhe dhe shënon gurthemel historik në rrugëtimin e përbashkët. Çdo sukses që Shqipëria në procesin e BE-së duhet të shihet si hap për të gjithë rajonin. Për Shqipërinë nuk ka tjetër të ardhme”, tha Rama.
Sipas metodologjisë së re, në procesin e zgjerimit fillimisht është hapur grupi i parë ku janë kapitujt që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Progresi në këtë fushë do të diktojë edhe përparimin në tërë procesin negociator.Kryediplomati hungarez Szijjarto tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të përshpejtohet.
“Na duhet energjia e re dhe kjo do të vijë nga hapësira e Ballkanit Perëndimor. Është në interes të BE-së që zgjerimi të përshpejtohet. Na duhet të marrim hapa urgjente për të ruajtur besueshmërinë e politikës së zgjerimit. Duhet të përshpejtojmë procedurën e zgjerimit tani”, tha ai.
Szijjarto theksoi se Shqipëria është gati për t’iu bashkuar BE-së, duke shtuar se shpreson që Brukseli të bëjë “detyrat burokratike”, dhe që një tjetër konferencë të realizohet brenda presidencës hungareze.
Edhe komisioneri për zgjerimin e BE-së, Oliver Varheyli nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së.
“Dua të falënderoj presidencën e Hungarisë që vendosi zgjerimin si përparësi politike dhe bëri përpjekje të jashtëzakonshme për ta nxitur më tej. Na duhet zgjerimi, që BE-ja të bëhet më e forte”, tha Varheyli.
Shqipëria ka pritur disa vite që të hapë negociatat për anëtarësim. Tani, pas hapjes së kapitujve të parë pritet që procesi të jetë më i shpejtë.