Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Konferencën e gjashtë të Ambasadorëve të mbajtur në Prishtinë ka thënë se politika e jashtme e Kosovës duhet çdoherë të jetë në interes të shtetit, në interes të qytetarëve të saj, dhe bazuar në promovimin e vlerave euroatlantike, ndërtimin e partneriteteve me shtete nga kontinente të ndryshme dhe thellimin e aleancave me partnerët tanë tradicionalë strategjikë.
Presidentja Osmani ka thënë se kjo konferencë duhet “të na mundësojë përmes diskutimeve dhe analizave të arrijmë tek i njëjti kuptim i mjedisit që ndikon politikën tonë të jashtme, qartësim të synimeve strategjike të kësaj politike si dhe të bëjmë identifikimin e fushave dhe praktikave të mira në të cilat duhet të përmirësohemi”.
“Ju, si diplomatë të Republikës së Kosovës jeni pasqyra dhe dritarja e Kosovës jashtë vendit. Në njërën anë, me veprimet tuaja duhet të pasqyroni vlerat themeltare të Republikës së Kosovës të lidhura me demokracinë, diversitetin etnik e kulturor, shpirtin ndërmarrës e inovativ të qytetarëve tanë, e në anën tjetër, jeni dritarja nëpërmjet së cilës komunikoni e ndërtoni ura bashkëpunimi me institucione dhe organizata në vendet ku punoni e shërbeni si shtëpia e Kosovës edhe për mërgatën tonë”, thuhet në njoftim.
“Andaj, ju kërkoj që të shtoni përpjekjet bashkërisht me ne si dhe angazhimin tuaj që Kosova të ketë sa më shumë miq e sa më shumë partnerë në arenën ndërkombëtare, si dhe të komunikoni e bashkëpunoni edhe më afër me Zyrën e Presidentes dhe me të gjitha institucionet e tjera drejt realizimit të synimeve tona të përbashkëta për një Kosovë më të fortë”, vijon njoftimi i Zyrës së Presidencës.
“Si udhëheqëse e politikës së jashtme vazhdimisht kam artikuluar objektivat strategjike të Kosovës në politikën e jashtme të cilat ndër të tjera përfshijnë: forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë, përfshirë edhe synimin për njohjet e reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, avancimin e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike, promovimin e marrëdhënieve të mira me shtetet anekënd botës të cilat ndajnë vlera të njëjta me ne si dhe promovimin e interesave ekonomike të vendit”.
Osmani ka thënë se gjatë vitit 2022 ishin të sfiduar në katër drejtime.
Si sfidë të parë Osmani ka thënë se Serbia vazhdoi me veprimet aktive kundër pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare nëpërmjet kampanjës korruptive të bllokimit të njohjeve të reja dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.
“Këto veprime të Serbisë i kemi luftuar në bashkëpunimin me shtetet aleate dhe kemi ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të kanaleve të komunikimit me shtete jonjohëse dhe këtë vit, siç e dini, kemi paraqitur edhe kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe po ashtu aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Megjithatë, si politikë e jashtme duhet të shumëfishojmë edhe më tutje përpjekjet tona të përbashkëta për të ndalur ndikimin e Serbisë te shtetet e tjera, sidomos duke e shfrytëzuar partneritetin tonë të afërt më shtetet mike që kemi në secilin kontinent”.
Presidentja Osmani, si sfidë të dytë e ka theksuar se Serbia ka ndërmarrë veprime kundër rendit kushtetues “duke cytur serbët në veri të braktisin institucionet e Republikës së Kosovës nëpërmjet kërcënimeve, detyrimeve, sulmeve, por edhe joshjeve në disa raste”.
“Këto veprime synojnë destabilizimin e vendit dhe krijimin e vakumit institucional në veri si prelud për atë që Serbia e dëshiron pra pretendimet e saj territoriale në raport me Kosovën. Një gjë e tillë natyrisht që kurrë nuk do të lejohet dhe vetëm se do të shtohen veprimet tona për të vendosur sundim të ligjit në secilën pjesë, në secilin cep të territorit tonë. Në raport me serbët që janë qytetarë të Republikës sonë, institucionet tona do të jenë çdoherë mbështetëse të nismave socio-ekonomike me qëllim të integrimit të tyre të plotë në shoqërinë multietnike të Republikës së Kosovës”.
Si sfidë të tretë, presidentja Osmani ka potencuar se procesi i dialogut me Serbinë është minuar dhe bllokuar nga veprimet obstruksioniste të regjimit në Serbi “duke pamundësuar progresin dhe arritjen e marrëveshjeve në shumë fronte përfshirë edhe bllokimin e marrëveshjes për persona të zhdukur me dhunë, mosimplementimin e marrëveshjes në fushën e energjisë, mosimplementimin e marrëveshjeve të tjera të cilat u arritën gjatë muajve të fundit si dhe duke e bllokuar diskutimin për dokumentin e propozuar nga ana e Gjermanisë dhe Francës dhe i mbështetur nga SHBA-ja”.
Ndërsa, si sfidë të katërt, Osmani ka thënë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila përveç pasojave që ka sjellë në sigurinë evropiane duke krijuar ndarjen e qartë mes shteteve në boshtin euroatlantik kundër atij rus dhe “ka aktualizuar rëndësinë e NATO-s, krizën e inflacionit, energjisë dhe furnizimit me ushqim, na ka ofruar mundësi në politikën e jashtme të shfaqim vlerat tona euroatlantike dhe të afrohemi edhe më tej me aleatët tanë”.
“Po ashtu, sa i përket kontekstit ndërkombëtar, politika jonë e jashtme sikur edhe e vendeve të tjera, është ndikuar nga ndryshimet në ekonominë globale dhe kërcënimet hibride si rezultat i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe veprimeve dashakeqe të shteteve si Kina e Irani apo akterëve joshtetërorë që po sfidojnë rendin ndërkombëtarë. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, mjedisi ndërkombëtar në të cilin veprojnë shtetet po bëhet edhe më kompleks, më i paparashikueshëm dhe po u nënshtrohet ndryshimeve të pandalshme. Andaj një mjedis i sigurt rajonal dhe global kërkon bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet të gjitha shteteve pasi që problemet, qofshin ato rajonale, qofshin globale kërkojnë zgjidhje të bazuara në partneritet e reciprocitet”.
“Në këtë drejtim, Kosova ka qenë tërësisht në harmoni me vendimet e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë pas agresionit të saj ushtarak kundër Ukrainës. Duke marrë për bazë këto zhvillime, tashmë është shndërruar në domosdoshmëri shtimi i kapaciteteve të sigurisë përfshirë ato të sigurisë kibernetike, pasi lufta hibride dhe kërcënimet jotradicionale të sigurisë vazhdojnë të sfidojnë shtetet anekënd globit”, ka theksuar presidentja Osmani.
Në këtë konferencë, Osmani ka treguar se në rrafshin e diplomacisë dypalëshe “fokusi ynë duhet të jetë ruajtja e thellimi i miqësive ekzistuese, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me shtetet e Bashkimit Evropian, me Britaninë e Madhe, me shtetet e rajonit, por të synojmë edhe ndërtimin e miqësive të reja në çdo vend e në çdo kontinent”.
“Duhet natyrisht të vazhdojmë që të punojmë së bashku që të fuqizojmë çdo ditë raportet tona vëllazërore me Shqipërinë, duke eliminuar barrierat e duke rritur numrin e marrëveshjeve që janë në dobi të qytetarëve tanë e të punojmë po ashtu për fuqizimin e partneritetit të bazuar në vlera me çdo vend”.
Osmani ka shtuar se në rrafshin multilateral, këtë vit kanë ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Ndërkaq, javën që shkoi, nënshkruam aplikimin dhe dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi në BE natyrisht që është objektiv strategjik, por aplikimi duhet ta dimë që të gjithë është hap konkret që na sjell një hap më afër realizimit të këtij synimi historik. Në këtë frymë, po ashtu kemi filluar edhe diskutimet politike me shtetet anëtare të NATO-s sa i përket aplikimit për programin e Partneritetit për Paqe si hap paraprijës formal i anëtarësimit në NATO”, ka thënë më tej Osmani.
Osmani ka shtuar se janë bërë pjesë e nismave të reja multilaterale si palë e barabartë me shtetet e tjera.