Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të Ditës së Pavarësisë së Malit të Zi, ka vizituar ekspozitën e organizuar nga Ambasada e Malit të Zi në Kosovë me veprat e artistit, Gjelosh Gjokaj.
Osmani ka thënë se arti i Gjokajt ka lënë gjurmë të përjetshme artistike në të dy shtetet, Kosovë, Mal të Zi dhe përtej.
E para e vendit ka thënë se themeli kryesor i miqësisë me Malin e Zi janë lidhjet në mes të njerëzve, gjersa ka vlerësuar angazhimin e komunitetit malazez në shoqërinë tonë.
“Presidentja Osmani ka potencuar se lidhjet në mes të njerëzve janë themeli kryesor i miqësisë me Malin e Zi, me ç’rast ka vlerësuar rolin konstruktiv dhe angazhimin e vlefshëm të komunitetit malazez në shoqërinë tonë, si dhe rolin e shqiptarëve në Mal të Zi në forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona ndërshtetërore”, ka njoftuar presidenca.
Dje, Mali i Zi e ka shënuar Ditën e Pavarësisë dhe 18-vjetorin e rikthimit të pavarësisë së shtetit me referendum.
Lexo më shumë: Mali i Zi feston Ditën e Pavarësisë
Më 21 maj të vitit 2006, në referendum Mali i Zi ka arritur të bëhet shtet i pavarur.
Në referendum votuan 419 mijë e 240 qytetarë ose 86.5 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, prej të cilëve pavarësinë e Malit të Zi e mbështetën 230 mijë e 661 qytetarë ose 55.5 për qind, ndërsa për mbetjen në një union të përbashkët me Serbinë ishin 185 mijë ose 44.5 për qind.