Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim shefen e Operacioneve Aktuale në Selinë e NATO-s, Ariella Viehe, si dhe dy gjeneralët e lartë të NALT-it (Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s) – gjeneral Brigade Christian Nawrat, i cili e përfundon mandatin, dhe gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, që ka marrë detyrën e re.
Osmani falënderoi Nawrat për kontributin e tij në forcimin e FSK-së dhe ia ndau Medaljen Presidenciale Ushtarake si shenjë mirënjohjeje. Osmani gjithashtu shprehu besimin se Gjenerali i ri, Lange, do të vazhdojë të ndihmojë avancimin e sigurisë dhe bashkëpunimin me NATO-n.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefen e Operacioneve Aktuale në Selinë e NATO-s, Ariella Viehe, drejtorin në largim të NALT-it, Gjeneral Brigade Christian Nawrat dhe Drejtorin e ri, Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange.
Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të NALT-it në zhvillimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera të sigurisë, në përputhje me standardet e NATO-s dhe të shteteve anëtare e partnere të saj.
Duke iu referuar vizitës së fundit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e angazhimit të NATO-s për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale e globale dhe e vlerësoi lartë mesazhin e tij në mbështetje të Kosovës.
Presidentja Osmani vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të Gjeneral Nawrat gjatë mandatit të tij, në një periudhë të ndjeshme për sigurinë e vendit dhe rajonit. Ajo e falënderoi për angazhimin e tij profesional në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe për bashkëpunimin e frytshëm me institucionin e Presidentes.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe për bashkëpunimin e tij të ngushtë me institucionet e Kosovës, Presidentja Osmani i ndau Gjeneral Nawrat-it Medaljen Presidenciale Ushtarake.
Ndërsa, për Gjeneral Brigade Dr. Sven Lange, Presidentja shprehu besimin e plotë se ai do të vazhdojë me sukses zbatimin e objektivave dhe projekteve të rëndësishme të NALT-it për avancimin e institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe për forcimin e bashkëpunimit të ngushtë me NATO-n”, thuhet në njoftimin e Presidencës.