Gjykata Speciale ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u liruar dhe për t’u mundësuar pjesëmarrjen në ceremoninë mortore për nder të babait të tij.
Të paktën kështu ka shkruar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), të cilët e kanë cilësuar si një akt të padrejtë dhe të papranueshëm.
Në një njoftim të shpërndarë nga OVL-UÇK, ky vendim konsiderohet si një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, duke theksuar se ndalimi i një biri për të nderuar babain e tij është një veprim që cenon dinjitetin dhe ndjenjat njerëzore.
“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh indinjatën dhe revoltën e saj të thellë ndaj vendimit të padrejtë, jo human dhe të papranueshëm të Gjykatës Speciale, e cila ka refuzuar lirimin e bashkëluftëtarit tonë, ish presidentit Hashim Thaçi qe të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe të japë lamtumirën e fundit babait të tij.
Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së”, thuhet në njoftim.
Kjo organizatë i ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave për të drejtat e njeriut, si dhe institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, që të reagojnë fuqishëm kundër këtij vendimi dhe të sigurojnë që raste të tilla të mos përsëriten, duke mbrojtur të drejtat themelore të individëve dhe duke parandaluar abuzimet.
Përfundimisht, OVL-UÇK ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë heshtjen e institucioneve të Kosovës ndaj shkeljeve të tilla dhe ka kërkuar veprime të menjëhershme për mbrojtjen e dinjitetit të ish-luftëtarëve dhe të drejtat e tyre.
“I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta toleroj heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtareve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë”.