Organizatorët e platformës “Liria ka emër” të cilët kanë organizuar marsh qytetar dhe solidarizues në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të mërkurën kanë vizituar Organizatën e Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës.
Siç ka njoftuar Organizata e Veteranëve të UÇK-së, ata do ta mbështesin marshin për drejtësi të ftuar nga iniciativa “Liria Ka Emër”, që do të mbahet këtë të diel në orën 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti”.
“Siç e dini edhe ju kanë ndodhur shpeshherë padrejtësi, dhe marshi ka kuptim që ajo padrejtësi të vijë në vend dhe të bëhet drejtësi, për shkak se krerëve të UÇK-së dhe ish-luftëtarëve të tjerë në shumë raste u kanë mohuar shumë të drejta, dhe atje nuk po gjykohen si individë, por atje është duke u gjykuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Prandaj, Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së e mbështesin këtë marshim dhe ftojnë qytetarët që të marrin pjesë të dielën më 2 prill 2023, ora 14:00 në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, ka thënë se si organizatë do ta përkrahin këtë marsh, pasi e konsiderojnë se në Hagë nuk ka drejtësi, por padrejtësi.
Ndërsa, marshi kundër Gjykatës Speciale në Hagë do të niset nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe do të vazhdojë në drejtim të sheshit “Skënderbeu”.