Pa marrëveshje përfundon takimi i liderëve të Partive Parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Ka përfunduar takimi i sotëm i liderëve të partive politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në të cilin është diskutuar për ndryshimet kushtetuese, si dhe masat për përballje me krizën energjetike dhe ekonomike.

Ka përfunduar takimi i Liderëve të Partive Parlamentare në Maqedoninë e Veriut pa ndonjë marrëveshje të arritur mes palëve për gjendjen e krizës energjetike, sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Pas përfundimit të takimit kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në deklaratë për media theksoi se takimi ishte i një rëndësie të veçantë ku gjithë liderët ishin të ulur në tryezë dhe shpalosnin qëndrimet e tyre.

“Sot në takim nuk u morën vendime në bazë të të cilave do të mund të thoshim se diçka që ishte propozua ishte pranuar. Megjithatë, arritja më e madhe ishte se të gjithë u ulëm në një tavolinë dhe mund t’i këmbenim mendimet dhe qëndrimet e çdo lideri politik në raport me rrugën evropiane të shtetit tonë”, theksoi kryeministri Kovaçevski.

Ai theksoi se takimi i përbashkët vjen pas takimeve të veçanta që i ka pasur me kryetarët e partive politike, ndërsa atë të sotmin (e hane) të 7 nëntorit e vlerësoi si pozitiv.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se i ka njoftuar kryetarët e partive politike me gjendjen e krizës dhe i ka ftuar që të jenë të bashkuar, pasi theksoi se “nga ndarjet nuk përfiton askush”.

“I kam njoftuar kryetarët e partive për gjendjen me krizën energjetike dhe masat për t’u përballur me të njëjtën. Kemi biseduar edhe për sundimin e të drejtës dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që ishte pikë e dobët nga raporti i Komisionit Evropian. Diskutimi ishte i hapur dhe mendoj se duhet të vazhdojë ashtu. Kemi investuar shumë për të arritur deri në këtë fazë për negociatat me BE-në, por e dimë cilat janë qëllimet tona – BE dhe NATO.

“Nëse i votojmë ndryshimet kushtetuese do të vazhdojmë rrugën për në BE, do të hapen kapitujt dhe nuk do të ketë bllokada. E kemi mundësinë tani dhe tani dera është e hapur. Nuk është koha për ndarje, askush nuk përfiton nga këto. Është formuar komision kuvendar për negociatat me BE-në. Duhet të tregojmë pjekuri si shtet. Është koha për të filluar tregimin e ri, në të cilin Maqedonia e Veriut do të jetë pjesë e BE-së”, tha Kovaçevski.

Dimitër Kovaçevski

Në takimin, i cili u mbajt me ftesë të kryeministrit dhe kryetarit të LSDM-së, Dimitër Kovaçevski, kanë marrë pjesë edhe liderët: nga BDI, Ali Ahmeti, PDM, Maja Moraçanin, VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski, Alternativës, Afrim Gashi, Lidhjes Demokratike, Pavlo Tajanov, PDSH, Menduh Thaqi, Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, VMRO-PP, Lupço Ballkovski, Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, Ivan Stoiljkoviq, Partisë së Pensionistëve, Ilija Mnikollovski,  PRSD, Goran Misovski, GROM, Steve Jakimovski, të Partisë Socialiste, Ljupço Dievski, dhe PLD-së, Monika Zajkova.

Në takim nuk morën pjesë liderët e së Majtës, Dimitar Apasiev dhe të Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika