Dritat po fiken sepse kushte të punohet aty nuk ka.
Këto janë hapësirat e Shkollës së Muzikës në Gjilan ku tash e sa kohë kanë mbetur pa pelet rrjedhimisht edhe pa ngrohje.
Klasat janë shumë të ftohta e rrallë gjen ndonjë nxënës.
Njëra ndër to është Morena, ajo thotë se i ftohti po ia pamundëson mësimin.
“Edhe në piano edhe në solfash ndonjëherë e kemi lëshuar mësimin për shkak të ftohtit e unë në piano po kam probleme edhe për shkak të gishtave” , ka thënë nxënësja Morena Akaj.
Problematike situatën po e konsideron edhe drejtori i kësaj shkolle, Kushtrim Jakupi.
“Sot kemi pasur vështirësi sepse temperatura është jashtëzakonisht e ulët deri sot jemi mundu me një mirëkuptim edhe të prindërve edhe stafit, mësimdhënësve jemi mundu me tejkalu situatë por nga tash po e shohim që po përkeqësohet situata edhe më shumë”, ka thënë drejtori Jakupi.
E njëjta situatë është edhe në çerdhen publike “Dardania”. Në mungesë të peletit ata po gjejnë tjera mundësi për ngrohje.
Dështim të orëve mësimore ka pasur edhe në Shkollën Teknike të Gjilanit.
Nga kjo shkollë, nuk deshën të flisnin duke thënë se kjo është përgjegjësi e Drejtorisë së Arsimit në Gjilan.
Por, një nxënëse thotë se i ftohti po e bënë të pamundur mësimin normal.
“Ton kohën qeto dy javë kemi anuluar mësimin”, ka thënë Megi Rushiti, nxënëse.
Përveç këtyre institucioneve arsimore, Drejtoria e Arsimit në Gjilan bëri me dije që disa shkolla kanë ndërprerë mësimin dhe po e zhvillojnë mësimin online.
“Si mungesë e peletit për arsye të procedurave të prokurimit gjithsej pesë shkolla për tre ditë kanë kaluar në mësim online. Besojmë deri në fundjavë kryhen procedurat e prokurimit për furnizim me pelet dhe shkollat kthehen në mësim të rregullt”, janë deklaruar nga Drejtoria e Arsimit në Gjilan.
Këtë vit, u raportua se Komuna e Gjilanit drunjtë për shkolla i ka blerë 92 euro për metër.