Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se janë mbledhur mbi 11 mijë euro për familjen Ademaj në Pejë, e cila ka pësuar humbje të rënda gjatë vërshimeve të së shtunës.
Në një postim në Facebook, Pacolli të dielën ka informuar se ka hapur një llogari “GoFundMe” për të lejuar qytetarët të japin kontributin e tyre financiar për familjen Ademaj.
Në postimin e tij, Pacolli i ka bërë thirrje politikanëve, biznesmenëve dhe të gjithë atyre që kanë zemër dhe mundësi për të kontribuuar.
Ai ka theksuar se çdo euro që mblidhet do të jetë shumë e vlefshme për familjen Ademaj, duke shprehur shpresën se ky kontribut do t’u ndihmojë ata në momentet e vështira që po përjetojnë.
“Sapo kam hapur një GoFundMe për të ndihmuar së bashku edhe financiarisht sado pak familjen Ademaj. U bëj thirrje politikanëve, biznesmenëve dhe të gjithëve me zemër dhe mundësi për të kontribuuar. Çdo euro do të thotë shumë për familjen. Zoti ju shpërbleftë”, kishte shkruar ai në Facebook.
Orët e vona të mbrëmjes të së shtunës qytetin e Pejës e kthyen në tragjedi. Për rreth dy orë sa kishte rënë shi në rajonin e Dukagjinit, Peja ishte përmbytur.
Në vërshimet e së shtunës, një grua dhe djali i saj pesëvjeçar humbën jetën, ndërsa u shkaktuan edhe dëme të mëdha materiale.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, e ka konfirmuar për RTV Dukagjinin se Prokuroria ka dalë tri herë në terren për të parë nëse ka bazë për hetime ndaj përgjegjësve komunalë për neglizhencë të punës në këto lagje të përmbysura e që fatkeqësisht humbën jetën dy persona.
Sipas Nikcit, prokurori kujdestar, bashkë me hetuesit policorë, në tri rastet kanë mbledhur informata për të konstatuar nëse do të ketë bazë për hetim.