Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka vlerësuar se paraja duhet të shpenzohet dhe sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke kursyer po e dëmton Kosovën.
Sipas tij, nuk duhet kritikuar qeveria për rritjen e çmimeve, ngase kriza ekonomike e ka prekur gjithë botën dhe jo vetëm Kosovën.
“Paraja duhet të shpenzohet në momentin e duhur aty ku duhet dhe të shpenzohet për të mirën e qytetarëve. Apeloj te kryeministri Kurti që sa më parë të konsumohet buxheti i Kosovës dhe të rregullohet tradita për ndërtimin e infrastrukturës”, ka thënë Pacolli.
“Është folur shumë për rritjen e çmimeve dhe është kritikuar Qeveria Kurti për këtë gjë. Unë nuk besoj se fajet i ka qeveria Kurti sepse është situatë globale. Menaxhimi ka mundur të jetë më i mirë. Unë mendoj se disa hallka në menaxhimin e situatës në Kosovë mungojnë dhe këto rritje të çmimeve kanë mundur të amortizohen ndryshe që Kosova të mos përjetojë aq rëndë këtë gjendje. E shoh që flitet nga ana e qeveritarëve për rritje ekonomike”, është shprehur Pacolli për EO.
Sa i përket rritjes ekonomike, Pacolli ka potencuar se në mënyrë që ajo të jetë reale, duhet të jetë e dëshmueshme në tri shtylla.
“Gjithmonë kam thënë se nuk ka rritje ekonomike në Kosovë dhe nuk ka pasur as vitin e kaluar. Rritjen ekonomike e dëshmojnë tri shtylla. E para janë investimet publike dhe rritja e shportës së konsumatorëve e që një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Nuk ka të hyra për kokë banori dhe kursimet të cilat janë nuk mund të konsiderohen rritje ekonomike dhe duke kursyer zotëri Kurti po dëmton shumë Kosovën”, shtoi ai.