Republika e Kenias është bërë shteti i 118-të që ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
Ky vendim, i firmosur nga Presidenti William Ruto, është dorëzuar tashmë në Presidencën e Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e konfirmoi këtë njohje.
Osmani konfirmon njohjen nga Kenia
Ish-kryediplomati kosovar, Behxhet Pacolli, ka folur për këtë njohje në një intervistë për emisionin FIVE të Dukagjinit.
Pacolli ka theksuar se kjo njohje ka qenë rezultat i një angazhimi të përhershëm, duke përmendur faktin se ai ka vizituar Keninë rregullisht që nga viti 2009 dhe ka mbajtur lidhje të mira me administratat e kaluara.
“Është një notë verbale e vërtetë, e nënshkruar nga Presidenti i shtetit, si rezultat i vendimit të Këshillit të Ministrave dhe rezolutës së Ministrisë së Punëve të Jashtme. Njohja është produkt i një pune të gjatë që ka nisur me shpalljen e Pavarësisë dhe ka vazhduar prej atëherë. Unë, që nga viti 2009, kam vizituar rregullisht Kenian dhe kam mbajtur lidhje të mira edhe me dy administratat e kaluara. Asnjëherë nuk kam hequr dorë nga angazhimi im për të punuar në këtë drejtim”, ka thënë Pacolli në FIVE në RTV Dukagjini.
Ai ka shtuar gjithashtu se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk e ka mbështetur siç duhet këtë angazhim.
“Ata (Ministria e Punëve të Jashtme) e dinë numrin tim, kam një numër telefoni dhe ata e dinë që kam qenë ministër atje. Duhej të më kontaktonin. Nuk kam pasur akses në asnjë moment në këtë ministri. Aksesi që kam pasur ka qenë vetëm në shërbimin e pasaportave, ku kam shkuar për të rinovuar pasaportat, si çdo qytetar tjetër. Ata e kanë konsideruar që nuk iu nevojitem, por unë kisha dëshirë që ata të ishin krah meje dhe të më ndihmonin në këtë mision…”, ka shtuar Pacolli.
Ai gjithashtu ka përmendur lobimin e Beogradit për të penguar njohjen, por theksoi se kjo njohje ishte një arritje e madhe për Kosovën.
“Siç e dini, ka pasur shumë vizita nga Beogradi, përfshirë presidente dhe ministra, si dhe zonja të para të shtetit. Ata kanë lobuar shumë që kjo gjë të mos ndodhte”, ka theksuar Pacolli.
Pacolli ka shprehur falënderime për bashkëpunëtorët e tij dhe për shtetin e Shqipërisë, i cili ka ofruar mbështetje në këtë drejtim.
“Kjo notë verbale do t’i dorëzohet Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe kjo ministri, nëse i gëzohen kësaj njohje, duhet të falënderojë me shkrim këtë shtet dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet për të lidhur marrëdhënie diplomatike me këtë shtet.
Nuk dua të humb rastin të falënderoj bashkëpunëtorët e mi, të cilët kanë qenë gjithmonë në krah meje në këtë drejtim, si dhe shtetin e Shqipërisë, i cili shtetërisht më ka ndihmuar në këtë çështje, duke pranuar të takohen me lidershipin e Kenias nëpërmjet formateve të ndryshme. Falënderoj Presidentin e Shqipërisë dhe Kryeministrin, të cilët gjithmonë kanë pranuar të takohen me liderët e shteteve të ndryshme, përfshirë ata të Kenias. Në rast, ata kanë folur për Kosovën dhe për rëndësinë e njohjes ndërkombëtare të saj”, ka thënë ndër të tjera Pacolli.