Ish-presidenti i Kosovës dhe njëherësh kryetar i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka ngritur shqetësimin se në Kosovë po ndodhin shumë incidente trafiku për shkak të rrugëve.
Ai nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të veprojë për t’i parandaluar vdekjet e njerëzve si pasojë e aksidenteve, ka nxjerrë edhe disa statistika të këtyre aksidenteve në 24 orët e fundit në rrugët e vendit tonë.
“Vetëm në 24 orët e fundit kanë ndodhur mbi 62 incidente trafiku nëpër rrugët tona. Shkaku kryesor i këtyre incidenteve janë rrugët, të cilat për shkak të mungesës së mirëmbajtjes janë në gjendje katastrofale”, ka shkruar ai.
Po ashtu, ai ka thënë se që nga viti 2020 në Kosovë nuk ka mirëmbajtje të rrugëve, e që sipas tij, gjendja e tyre është shkaku kryesor i incidenteve që po kushtojnë jetët e njerëzve.