Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se mund të jetë “ndryshues i lojës” në dialogun Kosovë – Serbi në rast se emërohet emisar special i Bashkimit Evropian (BE).
Pahor ishte prej kandidatëve të përmendur për zëvendësimin e Miroslav Lajçakut si i dërguar i BE-së për dialogun, por Këshilli i Ministrave të BE-së vendosi t’ia zgjasë mandatin Lajçakut deri në janar të vitit 2025.
Vetë Pahor nuk e ka të qartë se çka ndodhi në Bruksel kur u vendos t’i zgjatej mandati Lajçakut, i cili i skadoi në maj.
“Në mars, u ftova në Bruksel nga i dërguari i posaçëm, Miroslav Lajçak, i cili më pyeti nëse do të isha i gatshëm të konsideroja vazhdimin e punës së tij nëse do të më jepej mandati i Këshillit të BE-së. Mora pak pushim. Edhe atëherë isha i vetëdijshëm për të gjitha grackat që e presin atë që merr përsipër këtë detyrë, por vendosa ta bëj. E dija se nuk do të funksiononte pa mbështetjen e aktorëve kryesorë në politikën sllovene. E mora mbështetjen, për të cilën i jam mirënjohës. Por më pas diçka ndryshoi në Bruksel. Nuk i di të gjitha arsyet pse. Procesi i përzgjedhjes nuk përfundoi në maj, siç u tha fillimisht, por Këshilli i BE-së vendosi në qershor ta zgjasë mandatin e Lajçakut për gjysmë viti, pra deri më 31 janar”, ka thënë ai për mediumin slloven, N1.
Pahor ka thënë se është i gatshëm ta marrë rolin e Lajçakut teksa ka përmendur punët e tij për “paqe e pajtim” në Ballkanin Perëndimor.
“Mbetem i gatshëm ta plotësoj këtë pozicion nëse emërohem. Megjithatë, bazuar në më shumë se 30 vjet përvojë vendase dhe ndërkombëtare, e kam të qartë se do të ishte më e lehtë për mua nëse do isha përzgjedhur në maj. Në të njëjtën kohë, i them Brukselit: Jam këtu me përvojën time, arritjet, njohuritë dhe autoritetin e dikujt që pranohet si ndërmjetës i ndershëm në Kosovë, Serbi dhe Ballkanin Perëndimor. Si dikush që e zgjidhi problemin me Kroacinë në mënyrë paqësore, normalizoi marrëdhëniet me Serbinë kur Sllovenia njohu Kosovën dhe si dikush që themeloi dhe udhëhoqi procesin Brdo-Brionit. Mendoj se dikush me atë lloj përvoje që vjen nga afërsia e këtij rajoni mund të bëjë ndryshim dhe mund të jetë ‘ndryshues i lojës’”, u shpreh Pahor.
Ndryshe, vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) janë pajtuar për t’ia zgjatur mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025. Ky vendim, për të cilin më herët kishte paralajmëruar përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tashmë ka marrë pëlqimin e vendeve anëtare.