Pak javë para se të nis gjykimi, zhvillime të reja janë duke ndodhur në rastin e ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara.
84 viktima të reja i janë shtuar tashmë listës, duke dërguar numrin total të tyre në 137.
Mirëpo, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit mund t’u shtohet edhe ndonjë viktimë tjetër, pasi afati i paraqitjes së tyre akoma nuk ka përfunduar.
“Nëse kërkesat e tyre, apo krimet të cilat kanë ndodhur ndaj tyre nuk ndërlidhen me aktakuzë, atëherë kërkesat e njëjta edhe mund të refuzohen. Pra, kërkesat parashtrohen që nga fillimi i ngritjes së aktakuzës, deri në fillimin e shqyrtimit gjyqësor”, ka deklaruar Amer Alija, FDHK.
E mbrojtja e të akuzuarve, akoma pa nisur gjykimi, po kërkon që të paraburgosurit të lirohen nga të gjitha akuzat.
Avokati i ish-Presidentit, Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, në një shkresë drejtuar Gjykatës, ka shkruar se ish-drejtuesi politik i U}K-së, të gjitha veprimet i ka bërë në mbrojtje të civilëve.
“Gjatë gjithë kohës që lidhet me periudhën e aktakuzës, z. Thaçi ndërmori (1) veprim në përgjigje të përdorimit të menjëhershëm dhe të paligjshëm të forcës nga forcat e lidhura me Republikën Federale të Jugosllavisë dhe Republikën e Serbisë dhe (2) në mbrojtje të personave dhe pronës së mbrojtur, duke përfshirë popullatën civile të Kosovës. Veprimet e Thaçit ishin në proporcion me shkallën e rrezikshmërisë së Forcave Serbe”, ka thënë Kehoe.
Keohe tutje argumentoi se efekti juridik i vetëmbrojtjes është përjashtimi i përgjegjësisë penale të Thaçit për krimet e pretenduara në aktakuzë.
E një zhvillim tjetër i ri ka të bëjë me Rexhep Selimin.
Mbrojtja e Selimit iu drejtua Gjykatës me një kërkesë që të caktohet një paraqitje e mëtejme fillestare, për t’i paraqitur disa mocione, pas heqjes së redaktimeve nga aktakuza.
Mirëpo kërkesa është refuzuar.