Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë ankohen se qysh nga muaji dhjetor i vitit 2022 kanë mbetur pa transport publik dhe pa bufe.
Ata e quajnë këtë të pakuptimtë dhe absurde. Edhe pse ishte premtuar një zgjidhje e shpejtë për këtë problem, ka më shumë se një vit që punëtorët kanë mbetur pa këto shërbime.
Fillimisht, lidhur me ndërprerjen e transportit publik për në Pallatin e Drejtësisë, zyrtarët e Trafikut Urban të Prishtinës kishin arsyetuar se kjo masë vjen pas shkëputjes së marrëveshjes së vitit 2018.
Sipas marrëveshjes, mundësohej lëvizja pa pagesë e punëtorëve të Pallatit të Drejtësisë me autobusët e Trafikut Urban, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Shkëputja e kontratës kishte ardhur pas fluksit të madh të punëtorëve që përdornin autobusët në drejtim të Pallatit të Drejtësisë, pasi ishin paraparë vetëm dy autobusë për këtë destinacion, derisa nga ky fluks rrezikohej shërbimi ndaj qytetarëve të zonës.
Por, edhe pse ka kaluar një kohë relativisht e gjatë, ende nuk i është dhënë një zgjidhje meritore këtij problemi.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) si dhe vetë Ministria e Drejtësisë ishin zotuar për adresimin e shpejtë të kësaj çështjeje, por punëtorët sot e asaj dite po përballen me vështirësi për të shkuar në punë.
“Betimi për Drejtësi” u ka dërguar pyetje KGJK-së, KPK-së, MD-së si dhe dhe Trafikut Urban Prishtinë për të mësuar lidhur me atë se kur pritet të funksionalizohet, gjegjësisht të rikthehet transporti për punëtorët e Pallatit të Drejtësisë.
KGJK-ja në përgjigjen e saj thekson se kontrata me Trafikun Urban për transportin e zyrtarëve të Pallatit të Drejtësisë nuk është vazhduar qysh nga fundi i vitit 2022, pasi që, sipas tyre ‘Trafiku Urban nuk ka autobusë të mjaftueshëm’.
Kurse, drejtuesit e Trafikut Urban kanë thënë se vendimi për funksionalizimin e bartjes së punëtorëve të Pallatit të Drejtësisë i takon Komunës së Prishtinë.
“Në bashkëpunim me ta po diskutohet që të shtrihet linja e autobusëve edhe për në Pallatin e Drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e Trafikut Urban.
Lidhur me këtë gjendje që vazhdon tash e mbi një vit, vetë punëtorët e Pallatit thanë për “Betimi për Drejtësi” se gjendja vijon të jetë e pandryshuar. Kjo, sipas tyre, është e pakuptueshme dhe se nuk ka arsyetim që në shekullin 21 të jetë prezent ky problem bazik.
Ankesa lidhur me transportin kanë edhe praktikantët e Prokurorisë dhe Gjykatës. Ata thonë se pagesa edhe e transportit për kompanitë private po del te jetë e papërballueshme, duke marrë parasysh se ata nuk marrin pagesë nga shteti për punën praktike që bëjnë në këto institucione.
Mungesa e bufesë
Si të mos mjaftonte problemi me transport për këta punëtorë, ata tash e gati një vit nuk kanë në dispozicion as shërbimin e bufesë. Bufeja që shërbente për punëtorët e Pallatit të Drejtësisë ishte e vendosur në objektin D të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas punëtorëve, mosfunksionalizimi i bufesë brenda objektit të Pallatit po u shkakton shumë telashe, pasi që koha për pauzë prej një ore po del të jetë e pamjaftueshme për ta shfrytëzuar për shkak të lokacionit ku gjendet Pallati i Drejtësisë në periferi të qytetit.
Lidhur edhe me këtë problematikë, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në KGJK dhe KPK për të kuptuar më shumë rreth asaj se a është adresuar edhe kjo çështje.
KGJK ka kthyer përgjigje duke thënë se menaxhimin e Pallatit të Drejtësisë e bën Ministria e Punëve të Brendshme dhe se te ta kanë deponuar kërkesë për zhvillimin e procedurave të prokurimit me qëllim të funksionalizmit të bufesë.
Por, nga Ministria e Punëve të Brendshme janë përgjigjur se për këtë çështje duhet të pyesim në KGJK dhe KPK, pasi që sipas tyre, nuk është përgjegjësi e tyre. Lidhur me këtë çështje “Betimi për Drejtësi” ka pyetur këto dy institucione, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë përgjigje nga asnjëra./BetimipërDrejtësi