Fotografia e një pjese të grupit terrorist që organizuan sulmin terrorist në Banjskë është vendosur në disa lokacione, në veri të Kosovës.
“Të gjithë jemi Milana dhe vëllezër nga Banjska, ju okupatorë në ne zgjoni egërsinë, ju presim në veri”, është shkruar në pamfletet e vendosura, pak ditë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale për këtë rast.
Për vendosjen e tyre tashmë hetim ka nisur Policia e Kosovës, të cilët kanë bërë të ditur se në rast rast është përfshirë edhe Prokuroria Speciale.
“Nuk është hera e parë që ne e shohim nxitje të urrejtjes, me ato pamflete por s’janë shumë brengosese për neve, Policia e Kosovës ka hasur në disa lokacione në veri, është iniciuar si rast i nxitjes së urrejtjes, nuk kemi persona të arrestuar dhe të dyshimt për momentin”, ka thënë zv/drejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.
Përveç me hetimin e pamfleteve, Policia është duke u kujdesur edhe për objektet që i bastisi një ditë më parë.
Në Leposaviq i mbyllur ka qenë gjatë së premtes, objekti që deri një ditë më parë, shërbeu si degë e Bankës Popullore të Serbisë, e degë e Thesarit të Ministrisë së Financave të Serbisë,
Këto institucione që vepronin ilegalisht, ishin duke funksionuar në objektin e njëjtë ku kishte qenë edhe komuna paralele serbe.
“Kjo është vazhdimësi e rastit për shpëlarje të parash që ka nisur më herët, tek bankat më herët që kemi bërë bastisje, nuk ka pasur ndonjë problem kemi konfiskuar prova materiale, të nevojshme si dokumentacione të ndryshme, para të gatshme, shtëpiza të kompjuterëve edhe vula të ndryshme…Javën e ardhshme me siguri do të intervistohet dikush që është menaxher i asaj pike dhe mandej procedura vazhdon në prokurori e Gjykatë”, ka shtuar Elshani.
Në raportin 24 orësh të Policisë, është bërë e ditur se aty ishin gjetur e sekuestruar mbi 5 miliionë e 700 mijë dinarë, 57 mijë dollarë amerikan, mbi 10 mijë euro e 2700 franga zvicerane.
Gjithashtu në cilësi të provave janë sekuestruar edhe dy shtëpiza kompjuteri dhe dy DVR, dokumente e vula të ndryshme që dëshmojnë operimin e kundërligjshëm të këtyre institucioneve.
Aksioni i Policisë në veri, vjen si vazhdimësi e veprimeve për mbylljen e institucioneve ilegale serbe, përfshirë këtu komunat ilegale dhe institucione të ndryshme si posta e Serbisë e banka komerciale.