Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën e 23 janarit në vazhdën e realizimit të objektivave strategjike dhe planeve operacionale, që kanë për qëllim luftimin e veprimtarive kriminale, që ndërlidhen me fushën e krimit të organizuar, ka realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës, i cili ka përfshirë katër lokacione të ndryshme.
Gjatë realizimit të këtij operacioni policor, i cili ka rrjedhur pas zbatimit të masave të fshehta teknike të hetimit dhe vëzhgimit nga Prokurori i Shtetit, katër të dyshuarit në mënyrë të organizuar si grup i rrezikshëm kriminal, dyshohet se kanë kryer vepra të ndryshme penale.
“Kanë kryer vepra penale si: “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “lëndim i rëndë trupor”, “zjarrvënie”, “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”, duke u paguar kështu për këto shërbime, me qëllim të frikësimit dhe lëndimit të viktimave, ku deri më tani janë identifikuar disa viktima të cilat dyshohet se janë përcjellë për një kohë të caktuar nga ky grup kriminal. Viktimat janë të profileve të ndryshme, ku disa nga viktimat e identifikuara kanë qenë direkt të sulmuar, të cilët edhe kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas komunikatës, për shkak të rrezikshmërisë së lartë, arrestimi i personave të dyshuar është bërë në mbështetje të Njësisë Speciale Intervistuese dhe Njësisë së Reagimit të Shpejtë.
“Të dyshuarit e arrestuar janë: D. S. viti i lindjes 1980 m/kosovar, Xh. M. viti i lindjes 1979 m/kosovar, H. H. viti i lindjes 1960 m/kosovar, T. Sh. viti i lindjes 1973 m/kosovar”, vijon komunikata.
Gjatë kontrollit dhe bastisjeve të kryera në prona/shtëpi banimi, në cilësi të provave materiale sipas njoftimit të policisë thuhet se janë sekuestruar dy armë të gjata, katër armë të shkurtra, 43 fishekë, pesë mijë euro, dy automjete, 4 telefona dhe mjete të forta.
“Me vendim të prokurorit kompetent nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, katër të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore”.