Të enjten (dje), Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes informimit javor të DhSK-së për medie, ka thënë se Paneli i Gjykatës së Apelit hodhi poshtë apelet e parashtruara nga dy grupe individësh, kundër vendimit të trupit gjykues me të cilin u refuzuan kërkesat e tyre për të marrë pjesë si viktima në çështjen Thaçi dhe të tjerët.
Ai tha se më 21 qershor, Paneli i Apelit rrëzoi dy apele kundër vendimit të pestë të trupit gjykues mbi pjesëmarrjen e viktimave të 20 shkurtit 2023, që u paraqitën në emër të 37 personave të cilëve u ishte refuzuar kërkesa, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ndër të tjera, trupi gjykues konstatoi se krimet që personat pretendonin se kishin vuajtur nuk përfshiheshin në kuadrin gjeografik apo material të aktakuzës. Paneli i Apelit konstatoi se mbrojtësi i viktimave të refuzuara nuk u vërtetoi se trupi gjykues kishte bërë konstatim të gabuar dhe, për rrjedhojë, e rrëzoi mocionin”, tha Doyle.
Doyle tha se në këtë çështje dëshmitari i dhjetë dhe i njëmbëdhjetë, të thirrur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), dhanë dëshmi dhe iu përgjigjën pyetjeve të ZPS-së, mbrojtjes, mbrojtësit të viktimave dhe gjykatësve.
Po ashtu, ai tha se më 19 qershor, trupi gjykues shprehu shqetësimin për ritmin se si po ecin seancat në këtë çështje gjyqësore dhe u kujtoi palëve se është e panevojshme t’i pyesin dëshmitarët me hollësi për aspekte të pakontestuara.
Tutje, ai tha se, më 20 qershor, ky trup gjykues diskutoi gjerësisht me palët dhe mbrojtësin e viktimave për hapat konkretë që mund të ndërmerren për të garantuar një numër më të madh seancash publike në këtë çështje gjyqësore.
“Diskutimi u mbështet në parashtrimet me shkrim që trupi gjykues kishte marrë nga Prokuroria, mbrojtja dhe mbrojtësi i viktimave. Kryegjykatësi theksoi se të gjithë pajtohen se duhet promovuar një proces gjyqësor publik. Në fund të seancës, ai bëri me dije se ka gjasa që trupi gjykues t’i mbledhë përsëri palët dhe pjesëmarrësit për të diskutuar propozimet e bëra dhe u kërkoi Prokurorisë dhe mbrojtjes që të japin ndihmën e tyre për të trajtuar këtë aspekt”, tha ai.
Po ashtu, Doyle informoi se seanca vijuese në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë është planifikuar për të hënën, 10 korrik, në orën 09:00 të paradites.
Më tej, Doyle njoftoi se më 16 qershor, Zyra për Pjesëmarrjen e Viktimave i dorëzoi një raport trupit gjykues, në të cilin paraqiti kërkesën e ndryshuar të një viktime që i ishte rrëzuar më parë kërkesa dhe rekomandoi që ky person të pranohej si pjesëmarrës në procesin gjyqësor.
Në të njëjtën datë, ai tha se trupi gjykues ka urdhëruar vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, në vendime më vete për secilin.
“Për dy të akuzuarit, trupi gjykues konstatoi se ekziston ende rreziku që mund të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor apo të kryejnë krime të tjera. Trupi gjykues gjithashtu konstatoi, në lidhje me të dy të akuzuarit, se këto rreziqe mund të zvogëlohen mjaftueshëm vetëm me anë të kornizës së monitorimit të komunikimeve të Njësisë së Paraburgimit të DHSK-së”, deklaroi ai
Gjithashtu, tha se, më 21 qershor, trupi gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për kufizimin e pjesëmarrjes në sallën e gjyqit dhe urdhëroi që një nga anëtarët e ekipit të mbrojtjes të mos jetë i pranishëm në sallën e gjyqit gjatë dëshmisë së dëshmitarëve me masa mbrojtëse.
“Gjykatësit konstatuan se prania e një anëtari të ekipeve të mbrojtjes, që është i afërm i ngushtë i një personi që pretendohet se ka marrë pjesë në disa nga krimet e paraqitura në aktakuzë, me të drejtë mund të perceptohet nga dëshmitarët si cenim i sigurisë, mirëqenies, dinjitetit apo privatësisë së tyre dhe dëshmitarët mund të kenë frikë të japin dëshmi të plotë dhe të sinqertë, çka bie ndesh me kërkimin e së vërtetës dhe të drejtësisë, çka nuk do të ishte e drejtë”, tha ai.
Tutje, shtoi se gjykatësit, po ashtu, bënë të qartë se kjo nuk do thotë se anëtari i ekipit të mbrojtjes kishte shkelur Kodin e Etikës dhe se nuk bëhej asnjë konstatim negativ sa i takon sjelljes profesionale të atij personi.
Në të njëjtën çështje gjyqësore, Doyle tha se versioni i redaktuar publik i një vendimi të mëhershëm të trupit gjykues, që miratoi pjesërisht kërkesën e Thaçit për vizitë nën ruajtje në Kosovë për arsye humanitare, mund të gjendet në faqen e internetit të DHSK-së, vizitë e cila është kryer më 29 maj.
Ndryshe, ai paraprakisht informoi se në çështjen gjyqësore Pjetër Shala, një ekspert i identifikimit të ADN-së ka dhënë dëshmi më 16 qershor, si dhe trupi gjykues ka lëshuar një urdhër me gojë, me të cilin caktoi disa data të synuara për muajt në vijim në këtë çështje gjyqësore.
“6 korriku është data në të cilën synohet mbyllja e paraqitjes së provave nga Prokuroria. Më pas, në varësi të rezultatit të ndonjë mocioni prej mbrojtjes për rrëzimin e akuzave, 21 ose 22 gushti është data në të cilën synohet që fillimi i paraqitjes së provave nga mbrojtësi i viktimave, nëse dëshiron. Së fundi, trupi gjykues caktoi 18 shtatorin si datën në të cilën synohet të fillojë paraqitja e provave nga mbrojtja”, tha ai lidhur me këtë./BetimipërDrejtësi