Sladanja Pantoviq, kandidate e pavarur për kryetare të komunës së Zveçanit, ka thënë se është akuzuar se po punon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Ajo ka theksuar se është quajtur tradhtare.
Pantoviq shtoi se Kurti nuk është vetëm një politikan, por mbi të gjitha është njeri.
“Jam akuzuar se unë punoj për Kurtin dhe se jam një tradhtare. Mirëpo, Kurti nuk është vetëm një politikan. Mbi të gjitha është njeri”.
Kështu është deklaruar Pantoviq në forumin me temë “Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës – për dhe kundër” në Qendrën Mediale në Çagllavicë.
Në Mitrovicë të veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, më 23 prill do të mbahen zgjedhjet për kryetar komune, ndërkaq zgjedhje për kuvende komunale do të zhvillohen në Leposaviq dhe Zveçan.
Në garë për kryetar të këtyre komunave janë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.
Në Mitrovicën e veriut janë certifikuar tre kandidatë nga KQZ-ja.
Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica, PDK garon me Taulant Kelmendin si dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në Leposaviq janë certifikuar tre kandidatë.
PDK garon me Albulena Behluli – Hetemi, Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës dhe Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në Zveçan janë gjithashtu tre kandidatë, Ilir Peci nga PDK, Sllagjana Pantoviq – kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kurse në Zubin Potok gara do të zhvillohet mes Izmir Zeqirit nga PDK dhe Flatron Hasanit nga Lëvizja Vetëvendosje.