Vetëm një ditë para takimit të 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe pas takimeve në Beograd, i dërguari i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, do të takohet me liderët e shtetit këtë të premte në Prishtinë.
Escobar ndodhet në Kosovë pas një vizite në Beograd, në përpjekje për ta bërë të suksesshëm takimin e 18 marsit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ku do të diskutohet plani i zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes dy shteteve.
Gjithashtu, të enjten, ai u takua edhe me liderët e partive opozitare, por pas takimit asnjë nga përfaqësuesit e partive opozitare nuk foli për media dhe as emisari Esocbar.
Nga Presidenca e Kosovës kanë njoftuar se takimi ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe të dërguarit Escobar do të mbahet në ora 09:00, ndërsa në ora 10:00 pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Më pas, në orën 10:20, ai do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka bërë të ditur se takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe të dërguarit të ShBA-së, Escobar, do të mbahet të premten. Takimi do të fillojë në orën 11:00.
Në këtë rund bisedimesh, palët pritet të bisedojnë për planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar këtë propozim më 27 shkurt.
Escobar do të jetë i pranishëm në takimin e Ohrit, në cilësinë e vëzhguesit, kanë konfirmuar për REL-in nga Ambasada amerikane në Shkup.
Kujtojmë se, dy prej partive më të mëdha opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë shprehur kundërshti lidhur me propozimin evropian, pasi, sipas tyre, aty nuk përfshihet njohja e ndërsjellë, ndërkaq në të palët pajtohen të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, që nënkupton edhe marrëveshjet për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur mbështetjen e saj për propozimin evropian.
Ndryshe, dy ditë më parë, Escobar në Beograd takoi presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i cili kishte bërë të ditur se ka zhvilluar një “bisedë të hapur dhe korrekte”.
Vuçiq shkroi në llogarinë e tij në Instagram “Besoj në përmirësimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së”.
Ndërsa, në komunikatën e Presidencës së Serbisë, thuhet se është diskutuar procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve përmes kompromisit dhe të qëndrueshme në dialogun e zhvilluar me ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian”.
BE-ja kishte thënë se Asociacioni është kushti kryesor për zbatimin e propozimit evropian.
Ndërkaq, Escobar, gjatë konferencës për media në Beograd më 16 mars, ka thënë se formimi i Asociacionit është më afër sesa ishte një muaj më parë.
“Mund të them se bisedimet tona me Qeverinë e Kosovës po bëhen gjithnjë më produktive dhe realiste. Shpresoj se ne jemi shumë më afër kësaj sesa disa javë më parë”, kishte deklaruar Escobar.
Zyrtari i lartë amerikan, po ashtu, ka thënë se do të dëshironte që marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë të arrihej këtë vit.
Ndryshe, në propozimin evropian për normalizim, i cili përbëhet nga 11 nene, nuk janë përmendur në mënyrë eksplicite as marrëveshjet për themelimin e Asociacionit, e as njohja e ndërsjellë, që Qeveria e Kosovës ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje eventuale për normalizim të raporteve.
Megjithatë, në nenin 2 të propozimit përmendet që palët duhet ta respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi, po ashtu, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.