Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.G., shtetas i Republikës së Kosovës.
Për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 3, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), njoftohet në komunikat.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga data 1 shkurt 2022, ka kontraktuar shuma joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për persona tjerë, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë financiare të personit, në atë mënyrë që i dëmtuari E.A., për shkak të vështirësive financiare si pasojë e pandemisë nga virusi Covid-19, është detyruar që të kërkojë para fajde nga i pandehuri, në atë mënyrë që fillimisht ka marrë katërmijë euro me fajde 20% në muaj, mirëpo me pamundësi për t’i paguar shumat e fajdeve, është detyruar të marrë edhe 3 herë nga dymijë euro dhe një herë gjashtëmijë euro, pra gjithsej gjashtëmbëdhjetë mijë euro, për të cilat ka paguar në emër të fajdeve nga tre mijë e dyqind euro në muaj, kështu që brenda një viti ka paguar shumën prej katërdhjetë mijë euro vetëm për fajde, kurse borxhin prej gjashtëmbëdhjetë mijë euro ka mbetur pa e paguar”, thuhet në njoftim.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit, i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muajsh.
“Me këtë rast, palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij”.