Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se së shpejti Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Partneritetin për Paqe të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO).
Këto komente Kurti i bëri në Berlin, pas takimit të tij me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.
Scholz, të mërkurën priti në takim edhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili reagoi ndaj paralajmërimeve të Kosovës se do të bëjë përpjekje të anëtarësohet në organizata të reja ndërkombëtare.
“Nëse dikush nuk dëshiron të respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit, edhe ne do të veprojmë në përputhje me Kushtetutën dhe interesat kombëtare”, kishte thënë Vuçiq, shkruan REL.
Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e njohur si Marrëveshja e Uashingtonit.
Me këtë marrëveshje, Kosova është pajtuar për një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia ka rënë dakord për një moratorium – po ashtu njëvjeçar – mbi fushatën e saj, kundër njohjeve të Kosovës si shtet.
Në bazë të Marrëveshjes së Uashingtonit, moratoriumet tashmë kanë skaduar.
Ndërkaq, Qeveria e Gjermanisë ka konfirmuar se mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.
Kështu ka bërë të ditur anëtari i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Knut Abraham.
Ai, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka publikuar pyetjen, me të cilën, i është drejtuar Qeverisë së Gjermanisë, rreth asaj nëse do ta mbështeste Kosovën, nëse kjo e fundit do të aplikonte për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Dhe një gjë të tillë, si përgjigje, e ka pohuar Qeveria e Gjermanisë.
“Qeveria federale mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Është me rëndësi, që për këtë çështje të mbesim në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në BE dhe në Këshill të Evropës”, është thënë në përgjigjen e Qeverisë së Gjermanisë.
Die Antwort der Bundesregierung auf meine Frage zur Mitgliedschaft von #Kosovo im #Europarat ist sehr ermutigend. Jetzt sollte #GER proaktiv die Bewerbung Kosovos im Europarat unterstützen. Europapolitiker unterschiedlicher Fraktionen unterstützen dies. @FrankSchwabe pic.twitter.com/4ba2VsT5BH
— Knut Abraham, MdB (@Knut_Abraham) May 4, 2022
Ndryshe, lidhur me një aplikim të mundshëm të Kosovës për anëtarësim në KE, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte shprehur optimiste, por, sipas saj, nga aplikimi deri në anëtarësim duhet një periudhë kohore.
“Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për aplikim, por ta keni parasysh se për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shteteve të ndryshme, iu është dashur kohë e ndryshme për pranim. Dikujt i është dashur 1 vjet e dikujt tjetër 5 vjet për anëtarësim. Ne po punojmë që me partnerët tanë kjo kohë të jetë sa më e shkurt”, kishte thënë Osmani.
Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve evropiane, e themeluar më pesë maj 1949, për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare, mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike.
Organizata ka 47 shtete anëtare dhe vepron me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë eurosh.
Gjermania në mbështetje të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës