Dogana e Kosovës ka njoftuar se në një autobus në hyrje të Kosovës, në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, është gjetur një sasi e konsiderueshme e pajisjeve kirurgjike.
Sipas njoftimit të Doganës, këto pajisje, përpos qëllimit të kontrabandimit, po transportoheshin në kushte jo të përshtatshme dhe josterile, duke shkelur kështu rregullat dhe standardet e kërkuara për mallrat e këtij lloji.
“Mallrat e gjetura janë sekuestruar menjëherë dhe është nisur procedura kundërvajtëse ndaj palës së përfshirë”, thuhet në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Tutje, në njoftim thuhet se veprimet e kësaj natyre janë në përputhje me angazhimin e vazhdueshëm të institucionit për luftën kundër dukurive negative dhe për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.