Parlamenti i Finlandës më 1 mars mbështeti me shumicë dërmuese anëtarësimin e shtetit në NATO, tha kryetari i Parlamentit.
Miratimi i traktateve të NATO-s dhe anëtarësimit të Finlandës morën 184 vota për, shtatë kundër dhe një abstenim në Parlamentin prej 200 ulësesh.
Në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës që nisi një vit më parë, majin e vitit të kaluar Finlanda aplikoi për anëtarësim në NATO, pasi që deri më tani është varur vetëm nga forcat e saj të armatosura për të mbrojtur kufirin prej 1.300 kilometrash që ndan me Rusinë, shkruan REL.
Pranimi i një shteti të ri në NATO duhet të miratohet nga të gjithë anëtarët ekzistues të aleancës ushtarake perëndimore. Finlanda ende nuk ka marrë mbështetjen për anëtarësim nga Turqia dhe Hungaria.
Me miratimin e dokumenteve kryesore të NATO-s, Finlanda është një hap para drejt anëtarësimit krahasuar me Suedinë, që po ashtu ka aplikuar për anëtarësim, por që Turqia ka shprehur kundërshti.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se shteti i tij është i gatshëm ta pranojë Finlandën në NATO, por ka akuzuar Suedinë se strehon persona që Ankaraja i konsideron si anëtarë të grupeve terroriste.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, javën e kaluar tha se ai synon që dy shtetet nordike të bëhen anëtare të aleancës para se të mbahet samiti i NATO-s në korrik.
Ndryshe, Finlanda ka nisur të ndërtojë një gardh kufitar prej 200 kilometrave në kufi me Rusinë, për të rritur sigurinë.
Garda Kufitare ka thënë se gardhi do të jetë tri metra, me tela gjemborë në krye.
Finlanda është vendi i Bashkimit Evropian që ndan kufirin më të gjatë me Rusinë – 1.340 kilometra.
Aktualisht, kufijtë e Rusisë sigurohen vetëm përmes një gardhi të lehtë prej druri.
Finlanda ka vendosur të ndërtojë mbrojtjen e re, pas rritjes së numrit të rusëve që duan t’i ikin rekrutimit në vendin e tyre për të luftuar në Ukrainë.
Ky shtet nordik, po ashtu, është duke iu afruar anëtarësimit në NATO.
Pas nisjes së luftës në Ukrainë, më 24 shkurt të vitit të kaluar, Finlanda dhe Suedia kanë vendosur t’i bashkohen aleancës veri-atlantike sa më shpejt që është e mundur, duke i dhënë fund qasjes neutrale.
Mirëpo Helsiniki përballet me më pak probleme diplomatike sesa Stokholimi, pasi Qeveria finlandeze dëshiron të ecë përpara, para zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen në Finlandë në muajin prill.