Partia Socialiste në Shqipëri pritet që të premten të propozojë kandidatin për President të Shqipërisë. Damian Gjiknuri, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste e ka cilësuar dinjitoz kandidatin e Partisë Socialiste.
“Një nga defektet që do ia vendosja në dukje opozitës, është që ishte e paaftë për të diskutuar emra. Për aq kohë sa jemi pjesë një forumi të lartë të PS, aty do të diskutohen të gjitha emrat”
Gjiknuri ka shtuar se nuk duhet të bëheni të padurueshëm “Sot pasdite do të mësoni edhe kandidatin që jam i bindur që do të jetë shumë dinjitoz, që do ta bëjë siç duhet detyrën e presidentit dhe jo modelin që kemi parë gjatë këtyre ditëve”.
Kryesia e Partisë Socialiste do të mblidhet të premtën në orën 17:00 për të diskutuar rreth kandidaturave për kreun e shtetit.
Në zgjedhjet presidenciale në Shqipëri kanë dështuar tre raundet e para për zgjedhjen e liderit të shtetit. Kjo ka ndodhur pasi opozita dhe mazhoranca nuk kanë dorëzuar asnjë kandidat. Në raundin e katërt që do të mbahet të shtunën e 4 qershorit zgjedhja e liderit të shtetit do të bëhet me 71 vota.