Pas arratisjes së Marko Roshiqit i dënuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij.
Fillimisht, Gjykata thekson se me rastin e shpalljes së aktgjykimit në gjykimin për vrasjen së politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ka caktuar edhe masën e paraburgimit ndaj të akuzuarit Marko Roshiq dhe menjëherë është lëshuar aktvendimi për caktimin e paraburgimit dhe i është dërguar Stacioni Policor në Veri për ekzekutim, por sot policia ka konfirmuar se Marko Roshiq është arratisur.
Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, nga Gjykata kanë sqaruar se pas pranimit të vendimit për ekzekutimin e aktvendimit të Gjykatës, Stacioni Policor në Veri ka ndërmarrë veprime për arrestimin e të dënuarit, por ai nuk është gjetur në adresën e banimit.
Si rrjedhojë e kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për të akuzuarin Roshiq.
“Nga Stacioni Policor në Veri, gjykata është njoftuar se ka ndërmarr veprime për ekzekutimin e aktvendimit të gjykatës, mirëpo i akuzuari nuk është gjendur në adresën e banimit, andaj Gjykata Themelore në Prishtinë ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit, duke lëshuar urdhër-arrest për arrestimin e të akuzuarit M.R. dhe dërgimin e tij në qendrën e paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Ndërkaq, avokati i Roshiqit, Mahmut Halimi ka thënë se nuk ka informacione për klientin e tij.
“Veç çka kam parë në media. Asnjë informatë shtesë nuk kam as nga familja as nga klienti nuk kam. Për shkak se atë ditë kur është shpallë aktgjykimi nuk kam qenë prezent, prezent s’ka qenë as ai. Për shkak se mundësitë ligjore janë të tilla, që nuk është obligim me qenë prezent në sallë kur të shpallet aktgjykimi. Unë kam pasur tjetër gjykim në Mitrovicë…”, ka thënë Halimi për Radio Dukagjinin.
Arratiset Marko Roshiq, i dënuari për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviqit