Pas tentativës së dështuar në Shqipëri, destinacioni i ri i Albin Kurtit për të marrë pjesë në zgjedhjet e shteteve fqinje është Maqedonia e Veriut.
Këtë herë më i përmbajtur në mbështetje sesa herës së kaluar ku edhe kishte shfrytëzuar të drejtën e votës në Tiranë, tash po rri më në distancë ani pse përfaqësuesit e koalicionit opozitar shqiptar të Maqedonisë, i ka pritur edhe në zyrën e tij në qeveri.
Pavarësisht se publikisht kishte mohuar se Vetëvendosje do të regjistrohet si parti në shtetin fqinj, megjithatë këshilltari i tij Bekim Qoku haptazi e pranon që partia e Kurtit do të ketë kandidatë për deputetë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i ketë tre kandidatë për deputetë, me koalicionin VLEN. Ne do të jemi pjesë e fitores që VLEN! Në Maqedoninë e Veriut Lëvizja VETËVENDOSJE! ka shumë aktivistë dhe simpatizantë. Bashkë do të punojmë sot për Ndryshimin që VLEN e nesër për forcimin e popullit tonë shqiptar”, ka njoftuar Qoku.
Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë nuk ka dashur të komentojnë këtë çështje të mërkurën.
Përderisa tejet konfuze gjithë këtë situatë e vlerësojnë analistët politikë në Maqedoninë e Veriut, si dhe mundësi për komplikim të marrëdhënieve ndërshtetërore.
Sefer Selimi thotë së Kurti duhet të definojë nëse është i përfshirë drejtpërdrejt në këtë proces zgjedhor, meqë sipas tij, kryeministri kosovar gëzon elektorat edhe në shtetin fqinj.
“LVV nga Prishtina me një far ndrojtje për të mos thënë turp po mohon pjesëmarrjen e drejtpërdrejt në zgjedhje dhe kjo është paradoksale sepse opozita aktuale që është bashkuar në koalicionin VLEN, pretendon se e ka mbështetjen e fuqishme dhe të plotë nga Vetëvendojsa,” ka thënë Selimi.
Nga ana tjetër analisti Mersel Bilalli thotë se “përzierja” e Vetëvendosjes në Maqedoni nuk mund të bëjë ndonjë ndryshim.
“E drejtë demokratike është dhe ndodhë por në qoftë se strukturat autoktonë nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm ta rrëzojnë pushtetin, unë mendoj se asgjë nga jashtë spektakolare, nuk mund ta rrëzojë këtë pushtet,” ka thënë Bilalli.
Ndërkohë për këtë, siç po quhet, përzierje të Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut, ka pasur një sërë reagimesh si në Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni.