Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, pas tubimit masiv në Drenas, i ka vazhduar takimet e tij me qytetarë edhe në Fushë Kosovë dhe në lagjen “Dardania” në Prishtinë.
“Ne e dojmë shtetin, pavarësisht a jemi në pozitë a jemi në opozitë, se për neve shteti, Kosova, është mbi të gjitha, Kosova është e para. Mirëpo, katër vitet e fundit realisht jemi përballë me mungesë të rezultateve, nuk ka asnjë projekt domethënës kapital që ka ndodhë brenda këtyre katër viteve. Na dimë me punu, nuk shkojmë në qeveri me mësu”.
“Ne në qeveri shkojmë me punu. 6 miliardë euro investime, projekte të infrastrukturës rrugore, modernizim të hekurudhave, furnizim me ujë dhe projekte të tjera transformuese që do ta ndryshojnë Kosovën. Ne kemi nevojë që qytetarët tonë të kenë përkujdesje shëndetësore. Do t’i funksionalizojmë sigurimet shëndetësore, do t’i rregullojmë, rinovojmë, investojmë në shtatë spitalet rajonale gjithandej Kosovës. Do ta dyfishojmë buxhetin për barnat esenciale, 150 milionë euro në vit për barnat esenciale, për të sëmurët me sëmundje të kancerit dhe sëmundje të tjera kronike”, ka thënë Hamza në Fushë Kosovë.
Ndërsa, banorëve të lagjes “Dardania” në Prishtinë, Hamza u ka garantuar se çdo çifti të ri do u ndahen nga 100 euro në muaj për secilin fëmijë që e çojnë në çerdhet private për shkak të mungesës së kapacitetit në çerdhet publike.
“Çmimet, jemi dëshmitarë që kanë shku larg, janë rritë, janë dyfishu, çmimet e bukës, çmimet e barnave, mishit, kafes, rrymës, të gjitha. Pagat dhe pensionet kanë mbetë njëjtë, standardi i jetës është përkeqësu dhe ne këtë gjendje duhet me e ndryshu. Duhet me ndryshu, duke i rritë pensionet bazike 70% në fillim të mandatit, në muajt e parë të qeverisjes. Pensionet kontributdhnëse, rritje dhe përshkallëzim, njohje të përvojës së punës së viteve të ‘90-ta. Të gjitha këto kanë me ndodhë me Partinë Demokratike”, ka thënë Hamza në lagjen “Dardania”.