Pas gati 30 vjetësh, projekti i “Korridorit 8” kthehet si pjesë e infrastrukturës kryesore evropiane TEN-T, pasi të mërkurën është nënshkruar Marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe konsorciumit Behtel-Enka.
Siç ka raportuar mediumi maqedonas, “Koha”, ky projekt do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër, ndërsa do të shtrihet nga Tetova deri në Qafë Thanë.
Pjesë e Korridorit 8 që duhet ndërtuar, është autostrada Tetovë-Gostivar – Kërçovë- Bokujçani -Strugë – Qafëthanë, përderisa Korridori 10-D, do të lidhë Prilepin me Manastirin.
Zëvendëskryeministri maqedonas, Artan Grubi ka thënë se çmimi është nën mesataren e autostradave të ndërtuara në rajon, ku çmimi për kilometër autostradë shkon deri në 19 milionë euro.
Paratë për këtë projekt infrastrukturor do të ndahen nga buxheti i shtetit, nga 250 milionë euro në vit.
“Bëhet fjalë për ndërtimin e 110 kilometra autostradë. Nga Korridori Tetovë deri në Gostivar do të kemi tri korsi në anën e majtë dhe të djathtë. Në pjesën nga Gostivari në Kërçovë do të lidhet me autostradën që po ndërtojnë kinezët. Pas Trebenishtes do të ndërtohet një autostrade tjetër. Nga ana e Shqipërisë, tashmë po ndërtohet, ndaj ky projekt do të na lidhë me Tiranën, Durrësin dhe portin e thatë në Durrës”, ka thënë Grubi.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski para nënshkrimit të Marrëveshjes ka thënë se projekti për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D është projekti më i rëndësishëm infrastrukturorë.
Ndryshe, më 16 korrik të vitit 2021, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut miratoi Ligjin për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 (aksi rrugor Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe projektit të autostradës Trebenishtë-strugë-Qafë Thanë) dhe Korridorit 10D (aksi rrugor i autostradës Prilep-Manastir).
Me këtë ligj u rregulluan detajet në lidhje me planifikimin, projektimin dhe ndërtimin dhe përdorimin e një pjese të Korridorit 8, si dhe planifikimi, projektimi dhe ndërtimi dhe përdorimi i Korridorit 10D, si projekte me interes kombëtar dhe u emërua partner strategjik për realizimin e projekteve me qëllim që të arrihet zhvillimi i qëndrueshëm dhe i sigurt i lidhjes rajonale të Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes kompletimit të Korridoreve Paneuropiane 8 dhe 10D.
Pas gati 30 vjetësh, Korridorit 8 është kthyer fuqishëm si pjesë e infrastrukturës kryesore europiane e quajtur edhe si “TEN-T”.