Margarita Kadriu, ish-deputete e Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së 5-të, ka publikuar një libër të ri të fuqishëm dhe frymëzues të titulluar “Kthimi i faqës pas goditjes në tru: Shansi i Dytë”.
Libri i punës është një burim gjithëpërfshirës i krijuar për të ndihmuar individët që kanë pësuar goditje në kokë dhe si rezultat kanë afazi—çrregullime të të folurit, që dëmton aftësinë e një personi për të komunikuar në mënyrë efektive. Libri është i pari i llojit të vetë për afazinë në gjuhën shqipe.
Afazia shkaktohet nga dëmtimi i trurit, siç është goditja në kokë ose dëmtimi traumatik i trurit, dhe mund të ndikojë në aftësinë e një personi për të folur, kuptuar gjuhën, lexuar dhe shkruar.
Znj. Kadriu, e cila para 5 viteve edhe vetë ishte viktimë e një goditje në tru, si pasojë e gjendjes së saj shëndetësore, iu shfaq afazia dhe hemiplegjia e djathtë (paralizë e anës së djathtë të trupit). Përmes rrugëtimit të saj personal të rimëkëmbjes, Kadriu kuptoi nevojën për mjete të specializuara për të ndihmuar të tjerët të kapërcejnë sfidën e dëmtimit të gjuhës dhe të rifitojnë aftësinë e tyre për të komunikuar.
“Afazia ishte një përvojë e hidhur për mua, jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Një gjë është të humbasësh aftësinë për të folur, por tjetër gjë të ndihesh e izoluar sepse nuk mund të lidhesh me botën që të rrethon”, tha Kadriu. “Unë e kam botuar këtë libër pune si një udhërrëfyes dhe një mesazh shprese për ata që po ecin në këtë rrugë të vështirë. Ai përmban ushtrime që më ndihmuan të rifitoj fjalorin tim dhe të lidhem me ata që dua.”

Përveç ushtrimeve praktike, libri ofron një rrëfim thellësisht personal të përvojës së Margarita Kadriut me afazinë. Ajo ofron një autobiografi të shkurtër që përshkruan goditjen në tru dhe betejën e saj të vazhdueshme me afazinë. Ushtrimet dhe teknikat që ajo përdori për të rikuperuar janë përshkruar me kujdes në librin e punës, me synimin për të fuqizuar të tjerët që përballen me pengesa të ngjashme. Libri i punës është krijuar për njerëzit në faza të ndryshme të rikuperimit, nga ata që kanë filluar të rimësojnë aftësitë bazë të komunikimit deri tek ata që punojnë për të përmirësuar të folurit e tyre.
Nëpërmjet këtij libri, Margarita Kadriu jo vetëm ka treguar historinë e saj, por ka hapur një derë për shërim për shumë njerëz që janë ndjerë pa zë në luftën e tyre me afazinë.
Libri i punës, “Kthimi i faqës pas goditjes në tru: Shansi i Dytë” , është tani i disponueshëm për blerje dhe mund të gjendet në librari. Për shtypjen e këtij libri është përkujdesur Shtypshkronja “Dukagjini”.