Veprime ligjore ndaj personave përgjegjës për zjarrin në Klinikën e Psikiatrisë janë paralajmëruar nga Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Zjarri në Klinikën e Psikiatrisë, si pasojë e të cilit humbi jetën një person e u lënduan disa të tjerë, ka bërë që Bordi Drejtues i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë.
Pas kësaj mbledhjeje, nga ShSKUK-ja u paralajmëruan masa ligjore.
“Sot, Bordi Drejtues i ShSKUK-së, me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte ngjarja e fundit e ndodhur në Klinikën e Psikiatrisë.Pas diskutimeve, Bordi Drejtues ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, konform përgjegjësive dhe autorizimeve ligjore të bëjë vlerësim të gjendjes dhe bazuar në kompetencat e tij të ndërmarrë veprimet ligjore ndaj personave përgjegjës. Po ashtu, do të ndërmerren veprime të tjera ligjore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla.”, thuhet në njoftim.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka njoftuar se mbrëmë rreth orës 23:00 në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore.
Në të njëjtin repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur.
“Me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni), ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, gjatë kësaj kohe, sipas njoftimit, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi.
“Po ashtu, e tërë ekipi kujdestar, dy mjekë dhe dy infermiere, të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente”, vijon njoftimi.
Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.
Rastin për RTV Dukagjini e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo ka thënë se policia në koordinim me prokurorin ka nisur veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë rastin, që është i cilësuar si zjarrvënie dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.