Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka bërë të ditur të mërkurën se ka arrestuar gjashtë persona, prej të cilëve tre shtetas nga Kosova dhe tre nga Maqedonia e Veriut, të cilët dyshohen për falsifikim të parasë.
Burimet e Dukagjinit bëjnë me dije se informacionet për këtë rast policisë dhe prokurorisë i ka dhënë Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit ishin pjesë e një grupi që shpërndau dhe futi në treg para të falsifikuara, të cilat dyshohen se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën.
Në këtë operacion, sipas prokurorisë, janë sekuestruar mbi 85 mijë euro në monedha 2-euroshe të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.
“Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë telefona celularë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Personat e arrestuar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brena afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, thuhet tutje.