Prokuroria Themelore në Prishtinë ka reaguar pas debatit të zhvilluar në lidhje me kallëzimin penal të ngritur ndaj gazetarit Lirim Mehmetajt.
Në njoftim bëhet e ditur se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal privat kundër Mehmetajt nga pala e dëmtuar D.M..
“Andaj, njoftojmë opinionin publik se veprimet e ndërmarra në këtë çështje janë në drejtim të trajtimit të kallëzimit penal, për të cilën Prokurori i Shtetit ka obligim ligjor të trajtojë dhe sqarojë të gjitha rrethanat të cilat pretendohen nga palët e përfshira në proceset që zhvillohen para Prokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.
“Megjithatë, në situatën konkrete, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, do t’i analizojë veprimet e prokurores së rastit për këtë çështje dhe do të vlerësojë nëse eventualisht ka tejkalim të kompetencave që nuk janë në përputhje me ligjin”, vijon tutje.
Më tej, prokuroria tha se Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar për respektimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të tjera të njeriut të cilat janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi.