Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritën në takim presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Paraprakisht, ata u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa pas orës 17:00 pritet një takim i përbashkët mes tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit pasditen e së hënës në Bruksel, nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Takimi, i cili nisi në ora 15:00, po zhvillohet në kuadër të procesit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Dy diplomatët perëndimorë do të presin më pas presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa pas takimeve dypalëshe, do të zhvillojnë një takim të përbashkët me Kurtin e Vuçiqin.
Në Bruksel ndodhet edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili do të duhej t’i takonte palët veç e veç, përpara takimit të përbashkët.
BE e konsideron takimin e gjashtë mes Kurtit dhe Vuçiqit si më të rëndësishmin, sepse, kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Burimet e BE-së në Bruksel kanë thënë në prag të këtij takimi se presin që Kurti dhe Vuçiq ta pranojnë propozimin pa diskutime të mëtejme.