Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, lirimin e akuzave për terrorizëm ndaj ish-aktivistëve dhe aktivistëve të LVV-së, e ka cilësuar si drejtësi të vonuar, por, megjithatë, një vendim meritor.
Të martën, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka liruar nga akuzat, Frashër Krasniqin, Adea Batushën, Egzon Halitin dhe Atdhe Arifin, lidhur me akuzën për terrorizëm. Reagimi i Kurtit nuk mungoi, por ajo që mori vëmendje në reagimin e tij është përkujtimi për ish-aktivistin tashmë të ndjerë, Astrit Deharin.
“Në gusht të vitit 2016, u arrestuan aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një sulm që kishte ndodhur ndaj Kuvendit të Kosovës. Ishte kjo ndër përpjekjet e mëdha për ta eliminuar Lëvizjen tonë nga skena politike. Sot, 6 vite më vonë, aktivistët tanë shpallen të pafajshëm ndaj kësaj akuze. Ndonëse drejtësi e vonuar, megjithatë duhet përshëndetur për vendimin meritor final. Por, ky rast nuk është thjesht drejtësi e vonuar, por edhe një jetë e humbur. Astrit Dehari, aktivisti ynë është marrë në burg për këtë akuzë dhe kur sot kjo akuzë bie tërësisht, ai më nuk gjendet në mesin tonë”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, kjo ngjarje e aktivistëve tregon se thirrja për drejtësi ndaj të ndjerit, Astrit Dehari, duhet të bëhet edhe më e prerë.
“Nëse deri tash kemi bërë thirrje ‘Drejtësi për Astritin’ për të zbuluar tërësisht rastin, tash kjo thirrje bëhet edhe më e prerë. Përgjegjësit e rastit të Astrit Deharit duhet të japin llogari për arrestimin e një të pafajshmi dhe mbytjen e një aktivisti politik”, ka shkruar Kurti, në Facebook.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në dhjetor të vitit 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër Frashër Krasniqit, Atdhe Arifit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës, të cilët i akuzonte për kryerjen e veprës penale të terrorizmit.
Ndaj katër aktivistëve të Vetëvendosjes, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë, katër muaj pasi ata bashkë me tani të ndjerin Astrit Dehari, u arrestuan si të dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016, ndaj objektit të Kuvendi të Kosovës, por që Dehari kishte vdekur në nëntor të vitit 2016 në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, raporton Betimi për Drejtësi.
Dehari vdiq më 5 nëntor 2016, derisa ndodhej në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Sulmi në Kuvend: Lirohen nga akuzat ish-aktivistët dhe aktivistët e LVV-së