Pas ministrit të Financave, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Kritika e ministres Haxhiu bëhet fjalë për vonesën e Gjykatës Kushtetuese në publikimin e aktgjykimit të plotë mbi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka pyetur se edhe sa ditë i duhen Kushtetueses që ta publikojë aktgjykimin e plotë të ligjit, pasi sipas saj, janë bërë 518 ditë prej kur Gjykata e ka në trajtim çështjen.
“Edhe sa ditë të tjera i duhen Gjykatës Kushtetuese? Kanë kaluar më shumë se një muaj nga njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme por ende nuk është publikuar Aktgjykimi i plotë. Rrjedhimisht, po bëhen 518 ditë prej kur Gjykata e ka në trajtim këtë reformë të rëndësishme”, ka shkruar ajo në Facebook.
Sipas saj, vonesat e tilla vazhdojnë të jenë goditja e radhës ndaj reformës dhe qytetarëve.
Po ashtu, gjatë kësaj dite ministri i Financave, Hekuran Murati ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për mospublikimin e plotë të aktgjykimit lidhur me Ligjin për Pagën Minimale.
Vendimi i gjykatës në fund të qershorit i dha të drejtë Qeverisë së Kosovës për Ligjin për Pagën Minimale, por aktgjykimi i plotë ende nuk është publikuar, më shumë se një muaj pas njoftimit fillestar, gjë e cila ka nxitur Muratin të reagojë.
Murati kritikon Kushtetuesen për mospublikimin e aktgjykimit të plotë për Pagën Minimale