Të hënën ka filluar mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar të Kosovës, pas pezullimit të grevës nga SBAShK-u.
Të dielën e 2 tetorit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit se të hënën do të fillojë procesi mësimor.
Në këtë njoftim thuhet se MAShTI i kishte bërë përgatitjet e duhura që viti i ri shkollor të fillonte më 1 shtator kur zyrtarisht duhej të fillonte mësimi, por kjo nuk u realizua për shkak të grevës së organizuar nga SBASHK-u.
“Të hënën, MAShTI do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla.
Drejtoritë Komunale të Arsimit do të sigurohen për mbarëvajtjen e procesit mësimor.
Ministria e Arsimit fton për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës”, ka njoftuar Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Tutje, në njoftim thuhet se janë shpërndarë të gjitha tekstet në komuna e shkolla, sipas kërkesave të Drejtorive Komunale të Arsimit. Mes tjerash, njoftohet se teksti i Gjuhës shqipe, klasa e pestë, tekst i ri i hartuar këtë vit, do të dërgohet brenda kësaj jave në shkolla.
Nga ana tjetër, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, kishte thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta dijë se greva nuk po përmbyllet, por po pezullohet deri në janarin e vitit 2023.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga vetë Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK) të shtunën e 1 tetorit. Jasharaj ka thënë se shpreson që Qeveria t’i marrë këto si kohë, për të realizuar një dialog të mirëfilltë, ashtu që greva të mos përsëritet.
“Duke u bazuar në ligjin për grevat i cili autorizon BSPK-në, konstatoj se Këshilli Grevist i BSPK-së ka autorizimin të shpallë pezullimin e grevës së përgjithshme deri në vitin 2023. Uroj që Qeveria të marrë mësim të qartë dhe të mos e marrë si deklarim për fitore sepse nuk ka fituar askush”, ka thënë Jasharaj, gjersa ka deklaruar se vazhdimi i mëtejshëm i grevës dëmton rëndë procesin mësimor.