“Kryetarët e komunave, të cilët kanë paraqitur padi janë pjesë e partive politike që kanë qenë në pushtet kur janë nënshkruar këto kontrata dhe nuk kanë planifikuar asnjëherë buxhet”, ka thënë Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit.
Ajo ka folur lidhur me padinë që Asociacioni i Komunave të Kosovës e ka bërë ndaj MASHTI-t për shkak të kontratës kolektive.
Nagavci ka thënë se asnjëherë kontratat kolektive nuk i janë nënshtruar vlerësimit financiar.
“Asnjëra prej tyre nuk është regjistruar në Ministrinë e Punës, siç parasheh legjislacioni në fuqi”, ka thënë Nagavci.
Por , Nagavci ka thënë se kjo padi ka ardhur per shkak të qeverive të kaluara.
“Si Qeveri e Republikës së Kosovës po ballafaqohemi me pasojat e veprimeve të pararendësve tanë, por nuk do të lejojmë as zhvatjen e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër që bjen ndesh me ligjin”, ka shkruar ajo në rrjetin e saj social.
Të gjitha shkeljet ajo ka thënë se do t’i dërgojnë tek prokuroria në mënyrë që “për çdo shkelës të ligjit ashtu siç do të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme për secilën nga situatat me të cilat po ballafaqohemi duke respektuar legjislacionin në fuqi”.
Ajo ka përmendur se nga kush janë nënshkruar kontrata kolektive në prag të zgjedhjeve.
“Prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive në mes të MASHTI dhe SBASHK, të trija në prag të procesit zgjedhor dhe asnjëra prej tyre nga qeverisja e LVV”.
“Për sqarim kontrata e parë në vitin 2014 është nënshkruar në mes të ish-ministrit të Arsimit, Ramë Buja dhe kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Atë kohë, ishte Qeveria PDK-LDK kurse ministër i Financave, Bedri Hamza”.
“Kontrata e dytë e vitit 2017, nënshkrues të kontratës kanë qenë ish-ministri i Arsimit, Arsim Bajrami dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Atëkohë ka qenë Qeveria PDK-LDK kurse ministër i Financave, Avdullah Hoti”.
“Kontrata e tretë e vitit 2021. Nënshkrues të kontratës kanë qenë ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Ka qenë Qeveria PAN (PDK-AAK-NISMA) dhe ministre e Financave, Hykmete Bajrami”.
Sipas Nagavcit qëllimi i vërtetë i qeverisjeve të kaluara nuk ka qenë zbatimi i kontratave kolektive, por kalkulimet elektorale, pjesë e të cilave është bërë edhe udhëheqja e SBASHK-ut. Pavarësisht zotimeve në kohë fushate, mësimdhënësit çdo herë janë detyruar të shkojnë në gjykata për t’i marrë pagat përcjellëse..
Ajo ka përfunduar duke thënë pavarësisht se këto kontrata ishin nënshkruar ato kurrë nuk ishin respektuar.
“Kontratat janë nënshkruar që nga viti 2014, vetëm prej vitit 2019 kanë filluar të ndahen mjete për pagat përcjellëse pas pensionimit, për çka jam angazhuar edhe personalisht sa kam qenë deputete e Kuvendit të Kosovës në vitin 2018, duke paraqitur amendament të veçantë për këtë në Ligjin e Buxhetit”.
Tutje ajo ka hedhur akuza për mësimdhënësit që sipas saj, disa prej tyre madje edhe janë në pozita të larta shtetërore. “Të njëjtit nuk kanë reaguar as në publik e as brenda subjekteve të tyre politike për efektet që mund t’i kenë këto kontrata në buxhetin e shtetit”.
Ajo ka akuzuar dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, se po ia bënë avokatin e komunave në përgatitjen e padive dhe po ngritë çështje të shumta në pengim të punës së institucioneve.